Marina britanike arrestoi shtatë piratë, pasi i erdhi në ndihmë një anijeje spanjolle të sulmuar në ujrat e Oqeanit Indian, konfirmuan burime zyrtare.
Ngjarja e konfirmuar ditën e enjte ndodhi në 28 nëntor, në zonën detare që ndan Somalinë nga ishujt Sejshel.
Helikopterët e nisur nga anija luftarake hapën zjarr mbi dy gomone të tjera të piratëve, vendndodhja e të cilave pas largimit nuk është e qartë.
Më parë gjatë ditës, gjashtë piratë u dënuan me burgim nga 4-8 vjet nga një gjykatë franceze, për sulmin e kryer mbi dy shtetas të këtij vendi. Ky ishte procesi i parë kundër piraterisë në Francë, që prej shekullit XVIII.
Somalia, një shtet që virtualisht nuk ka një qeveri qëndrore që prej vitit 1991 dhe pjesa më e madhe e të cilit kontrollohet nga militantët, është e paaftë të godasë piratët. 49 prej 53 mjeteve lundruese të marra peng në botë gjatë këtij viti ishin duke udhëtuar në ujrat pranë Somalisë.
Top Channel