Eduard Kukan dhe Hanes Swoboda vlerësojnë si një hap të shumëpritur e të madh përpara të gjitha marrëveshjet dhe nismat e fundit politike që çojnë drejt normalizimit të klimës politike.
Në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama, përfaqësuesit e dy grupimeve kryesore në Parlamentin Europian mirëpresin këto zhvillime, që sipas tyre sinjalizojnë vullnetin për të lëvizur drejt një epoke të re bashkëpunimi, si dhe krijojnë themelet drejt normalizimit të jetës politike dhe adresimit të shqetësimeve të qytetarëve shqiptarë.
“Ne i shohim këto marrëveshje, të konfirmuara nga Parlamenti, si një përgjigje politike ndaj sfidave të mëdha që ka vendi. Kjo rrugëdalje nuk mund të vinte në një kohë më të mirë për vendin dhe për rajonin. Kjo mundësi duhet shfrytëzuar tashmë për të ndërmarrë veprime politike vendimtare, konstruktive dhe me vështrim nga e ardhmja, për të siguruar një perspektivë të qartë për qytetarët. Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë shans”, thuhet në letër.
Më tej, dy letërshkruesit inkurajojnë Berishën dhe Ramën që të bashkojnë forcat për të çuar përpara reformat, nën frymën e pajtimit dhe të pragmatizmit, duke theksuar se aktorët politikë do të fitojnë kredibilitet, vetëm nëpërmjet përforcimit dhe zbatimit konkret të marrëveshjes.
Përveç 12 kritereve kyçe të caktuara nga Komisioni Europian, përfaqësuesit e Parlamentit Europian shpresojnë që marrëveshjet e javës së shkuar të çojnë në një funksionim më të mirë të Kuvendit, por jo vetëm kaq.
“Një konsensus i gjerë për reformën zgjedhore do të luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të duhur të procesit demokratik. Ne jemi gjithashtu të palëkundur në besimin se tashmë ka një dritare mundësie për të zbatuar reforma të rëndësishme në lidhje me rendin ligjor dhe të drejtat e njeriut, në veçanti reformimi i gjyqësorit, për të luftuar me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të garantuar mosdiskriminimin dhe trajtimin e barabartë për të gjithë qytetarët”, nënvizohet në letër.
Kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin, i djathti Eduard Kukan, dhe zëvendëspresidenti i grupimit të majtë Hannes Swoboda, shprehin në fund besimin se e ardhmja e Shqipërisë dhe gjithë rajonit është në Bashkimin Europian, duke ofruar gadishmërinë e tyre për të ndihmuar në rrugën e integrimit.
Të dy eurodeputetët urojnë që takimi i ardhshëm ndërparlamentar, që mbahet më 9 dhjetor, të shënojë një fazë të re edhe për mardhëniet me Parlamentin Europian.
Zhvillimet e fundit politike në vend dhe votimi i dy ligjeve me tre të pestat u mirëpritën më herët gjatë muajit edhe nga komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.
Ligji kryesor që Kuvendi miratoi me konsensus ishte ligji për bankat në Shqipëri, që u ndalon atyre të transferojnë pasuri apo kapitale tek bankat e tyre mëma jashtë vendit kur ndodhen në vështirësi financiare, si dhe ndryshimet në Kodin Rrugor, që u pranuan me konsensus në komisionin e ligjeve.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel