BSH ul normën e interesit

30/11/2011 20:25

Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në minimumin historik, prej 4.75 për qind, për t’i dhënë një stimul të ri ekonomisë së goditur nga kriza.

“Ulja e normës bazë të interesit bëhet për shkak të presioneve inflacioniste, në mbështetje të pritjeve për një politikë fiskale më të përmbajtur. Situata ofron kushtet më të përshtatshme monetare për të përmbushur parashikimet mbi inflacionin”, deklaroi guvernatori Adrian Fullani.

Guvernatori deklaroi gjithashtu se rritja ekonomike mbetet e moderuar, ndërkohë që kriza e eurozonës dhe masat që po marrin disa vende të caktuara rrisin pasiguritë për ecurinë e saj në të ardhmen.

“Lufta e ashpër sot bëhet për të ruajtur nivelet e vlerësimit nga risku. Vende të ndryshme përqasen në mënyra të ndryshme, ka një përqasje të Bankës Botërore që vende të caktuara duhet të tregojnë më shumë kujdes. Kjo situatë po krijon paqartësi në treg”, nënvizoi Fullani.

Guvernatori tha më tej se në këto kushte, politika më e mirë për t’u mrbojtur nga rreziqet që vijnë nga jashtë është ruajtja e financave publike dhe marrja e disa masave të caktuara në tregun financiar.

“Me një mbrojtje të tillë, do të krijojmë barrierat përkatëse dhe do t’i japim hapësira tregut për zhvillim”, u shpreh Fullani.

Pak ditë më parë, në emisionin “Top Story”, ministri i Financave, Ridvan Bode tha se masat që po merr Komisioni Europian për të disiplinuar tregjet financiare në panik, mund të godasin edhe ekonominë shqiptare përmes uljes së kredisë dhe rënies së mëtejshme të rritjes ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA