Prejardhja e qenve është Kina Jugore. Ky është rezultati i një studimi të fundit të botuar në revistën “Heredity” nga një grup studiuesish suedezë.
Peter Savolainen nga instituti mbretëror i studimeve në Suedi thotë se qentë e parë janë zbutur në jug të lumit Yangtze në Kinë rreth 9500 vjet para lindjes së Krishtit, ndërkohë që në Lindjen e Mesme dhe në Europë u shfaqën për herë të parë, si kafshë shtëpiake 8000 vjet para Krishtit.
Grupi studiuesve suedezë është bazuar në hetimin e zinxhirit gjenetik të qenëve në 3 zona, ku janë faktuar mbetjet që kanë datimin më të hershëm. Kështu ata kanë studiuar përbërjen gjenetike të qenve në Lindjen e Mesme, Europë dhe në Kinë, përkatësisht në zonën jugore të lumit Yangtze, zonë e quajtur ndryshe Asy.
Shkencëtarët suedezë kanë studiuar kromozomin Y në 151 qen meshkuj, 12 ujqër dhe dy dhelpra. Rezultati: 46 përqind të trashëgimisë gjenetike fillestare e kanë të gjithë qentë në planet, por ata të rajonit të quajtur Asy në jug të lumit Yangtze në Kinë zotërojnë të gjithë tiparin dallues gjenetik.
E thënë ndryshe, qentë në jug të lumit Yangtze kanë përafërsi gjenetike më të madhe me ujërit se sa lloji i tyre në të gjithë planetin, madje edhe më shumë se sa mbetjet fosile të zbuluara në Lindjen e Mesme dhe Europë e që mendohet se datojnë rreth 8000 vjet para Krishtit.
Studimi hedh poshtë pretendimet shkencore të njohura deri më tani, se qentë e parë janë zbutur prej njeriut 8000 mijë vjet më parë në Lindjen e Mesme ose në Europë. Këto pretendime janë të mbështetura nga zbulimet e mbetjeve fosile në këto dy zona, ndërkohë që në Asy të Kinës mbetjet fosile shkojnë larg në kohë deri në 4500 vjet para Krishtit.
Top Channel