Delegacioni Europarlamentar për Ballkanin zhvilloi takimin përgatitor informues për zhvillimet e fundit në Shqipëri në kuadër të vizitës zyrtare më 8-9 dhjetor në Tiranë.
Misioni diplomatik shqiptar pranë BE-së dhe Komisioni Europian, vlerësuan angazhimin e forcave kryesore politike për reformën zgjedhore, atë parlamentare, emërimin e Avokatit të Popullit dhe në miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.
Duke iu referuar angazhimit të dhënë nga autoritetet shqipëtare për rezultate konkrete përpara Marsit 2012, përfaqësuesit e Komisionit insistuan që plani i aksionit për 12 prioritetet kyce të finalizohet, mundësisht, brenda kësaj jave.
Vassilis Maragos, Zv/shef i Njësisë për Shqipërinë në KE: “Është ekstremisht e rëndësishme që plani i aksionit të finalizohet sa më shpejt, të freskohet sa më shpejtë me përcaktime dhe afate kohore realiste, në mënyrë të tillë që Shqipëria të ketë më pas mundësisht një periudhe më të gjatë kohe për zbatimin e tij. Për mua, nësë do të ishte e mundshme, ky plan aksioni do të ishte mirë që të rifreskohej dhe finalizohej këtë javë, në ditët në vijim do të ishte më mirë sesa më vonë, por sigurisht ata mund të marrin kohën fizike të nevojshme për rifreskimin dhe për t’u siguruar së ky plan është gjithpërfshirës”.
Mimoza Halimi, Ambasadore e Misionit të Shqipërisë pranë BE: “Ne presim që Këshilli i Dhjetorit të reflektojë realitetet e reja në terren, të mbështesë dhe inkurajojë më tej Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur 12 prioritetet kyce, të identifikuara në Opinion. Për ne, është e qartë si kristal se përmbushja e këtyre prioriteteve është e vetmja rrugë që vendi të marre statusin kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim”.
Vassilis Maragos, Zv/shef i Njësisë për Shqipërinë në KE:“Sfida kyce për forcat dhe institucionet shqiptare është që të dëshmojnë në realitet se ata mund të zbatojnë këtë marrvëshje të arritur, në të gjithë elementët e saj: kalimi i ligjeve me shumicë të cilësuar; më shumë domethënës është ndryshimi i rregullave të procedures parlamentare, ku mendoj se Parlamenti Europian mund të japë ndihmë, si dhe në përfundimin e reformës elektorale, e për këtë mendojmë se egziston mundësia që puna të mbyllet në kohë, në mënyrë që të ketë rezultate përpara Marsit 2012. Tashmë që egziston një kuadër më i favorshëm politik për të përcaktuar dhe zbatuar reformat, ne besojmë se puna duhet fokusuar dhe në prioritetet e tjera që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi dhe të drejtën e pronës, cfarë është element kyc si për krijimin e kushteve të duhura tek sundimi i ligjit dhe për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë këshilla, por këto si pjesë shoqëruese ndaj planit shqiptar të aksionit”.
Victor Bostinaru, ZV/KR delegacioni i PE për Ballkanin, S&D: “Është i rëndësishëm të arrihet angazhimi në dy gjëra: jo vetëm që të kemi afate të përcaktuara kohore, por dhe garanci nga të dy palët se përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që së shpejti do të na shfaqen si cështja kyce e jetës politike në Tiranë, të kemi garanci se dy blloqet politike do të punojnë dhe do të zbatojnë, sic duhet, me bindjen se ata po i shërbejnë Shqipërisë, dhe jo të vënë në rrezik, apo të dëmtojnë, axhenden europiane të Shqipërisë, sic kanë vepruar së fundmi.”
Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE, PPE: “Unë dhe zoti Svoboda kemi vendosur t’i shkruajmë një letër të hapur për t’ia dërguar zotit Berisha dhe Zotit Rama, në të cilën mirëpresim disa lajme pozitive të kohëve të fundit, por bëjmë apel ndaj tyre që të vijojnë dhe të kultivojnë këtë kulturë ndryshimesh, në mënyrë që të shohim tek ata sa më shumë qëndrueshmëri”.
Për ekonominë, Komisioni këshilloi që të tregohej “kujdes”, e po kështu dhe përsa i takon respektimit të detyrimeve nga procesi liberalizues i vizave, ku, megjithëse vlerësohet rënie në numrin e azilkërkuesve, egziston “rreziku” sipas zotit Maragos.
Marrëveshja e Stabilizim Asocimit u vlerësua nga të dy palët se po zbatohet pa pengesa në përgjithësi. Ndërkohë që për lirinë e medias, cështje e ngritur në takim nga Eurodeputetja Fajon, ambasadorja shqiptare tha se kjo mbetet një cështje kyce sic përmendet dhe në raportin e fundit të progresit, ndërsa zyrtari i Komisionit tregoi se për ndryshimet e duhura ligjore, Komisioni dhe Këshilli i Evropës kanë nisur procesin e konsultimeve me autoritetet vendase.
Vassilis Maragos, Zv/shef i Njësisë për Shqipërinë në KE: “Vijojnë bisedimet në nivel ekspertesh. Në mes të dhjetorit do të ketë një takim me ekspertë nga Këshilli i Evropës, që së bashku me atë të Komisionit do të bisedojnë mbi cfarë theksohet në raport si pavarësia e linjës editoriale, pavarësia e cdo gazetari, të paturit të standarteve në këtë fushë dhe të sigurohemi se mjedisi pluralist ekziston, sepse është e rëndësishme për të gjitha vendet, e jo vetëm për Shqipërinë, ndaj do të fokusohemi tek kjo pjesë gjatë periudhës në vijim”.
Takimi 4 ndërparlamentar PE-Shqipëri kësaj radhe do të zgjasë vetëm 1 ditë dhe kreu i delegacionit, Kukan shpreson që të arrihet marrvëshje për një deklaratë të përbashkët përfundimtare me rekomandimet përkatëse.
Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE, PPE: “Ne jemi gati që të sillemi me mjaft përgjegjshmëri dhe ne presim të njëjtën gjë nga partnerët shqiptare.”
Gjatë vizitës dyditore në Tiranë, 7 eurodeputetët, që kanë pranuar të vizitojnë vendin, do të zhvillojnë takime me drejtuesit e partive politike, institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e shoqërisë civile si dhe do të bisedojnë me studentët e përzgjedhur të një universiteti privat.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel