Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dënuar ashpër aktin e ekstremistëve serbë në veri të Kosovës, të cilët plagosën sot dy ushtarë të KFOR-it.

“Ky akt i shëmtuar është shprehje e guximit që kanë marrë këta kriminelë të hazdisur për të sfiduar, edhe me armë, forcat ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë në Kosovë”, ka deklaruar Krasniqi.

Në reagimin e tij përmes një njoftimi për shtyp të lëshuar nga zyra e tij, Krasniqi ka ngritur një paralele mes sulmit të sotëm dhe deklaratës së ministrit të Brendshëm serb për ripushtimin e Kosovës.

“Kjo politikë e Serbisë është një kërcënim i drejtpërdrejtë i integritetit dhe sovranitetit territorial të vendit tonë”, ka theksuar kryeparlamentari, i cili ka shprehur keqardhjen për plagosjen e dy ushtarëve nga “Gjermania mike”.

EULEX dënon sulmin e armatosur

Ndërkohë, sulmi i serbëve është dënuar edhe nga misioni EULEX, që përmes zëdhënësit të tij ka deklaruar se, ndodhet në Kosovë për të përmirësuar jetesën e banorëve dhe për sundimin e ligjit.

“EULEX dënon dhunën e këtij lloji ndaj KFOR-it dhe cdo institucioni tjetër ndërkombëtar. KFOR dhe EULEX janë në veri të Kosovës për të përmirësuar jetesën e qytetarëve dhe për sundimin e ligjit atje. Kjo dhunë është tërësisht e dënueshme”, ka thënë zëdhënësi Nicholas Haëton për agjencinë “Reuters”.

Ushtarët e plagosur, mjekim në Bondstill

Dy ushtarët e plagosur, me kombësi gjermane, janë dërguar për mjekim në bazën ushtarake amerikane në Bondstill, në pjesën lindore të Kosovës.

NATO ka deklaruar se ushtarët tani kanë marrë udhëzime për t’u përgjigjur me municion të vërtetë nëse sulmohen sërish në këtë mënyrë.

Zëdhënësi i KFOR-it Uve Novicki, i cituar nga “REL”, ka deklaruar se një prej ushtarëve të plagosur është komandant i batalionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA