Në 99 vjet që nga viti 1912, standardet e jetesës së shqiptarëve janë përmirësuar me 4 herë, por fqinjët tanë kanë njohur përmirësime edhe më të mëdha.
Statistikat historike të grumbulluara nga Angus Maddison, një historian ekonomik i Universitetit të Groningenit, në Holandë, tregojnë se shqiptarët kishin Prodhim të Brendshëm Bruto për frymë dy herë më të pakët se sa grekët më 1913 dhe 25 për qind më të ulët se sa popujt e ish-Jugosllavisë. Në vitin 2010, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, shqiptarët ishin 3.8 herë më të varfër se grekët, 1.7 herë më të varfër se Bullgarët dhe 1.4 herë më të varfër se serbët.
Statistikat historike të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë janë vlerësime dhe kanë normë të lartë pasaktësie. Megjithatë, Maddison është burimi i vetëm i vlefshëm për krahasime historike dhe puna e tij mund të na ndihmojë për të “matur” zhvillimin e vendit jashtë euforisë politike të sharjes pa limit të një periudhe historike në lavdërim të një tjetre.
Ekonomia shqiptare duket se ka pasur dy periudha veçanërisht të vështira: periudha mes viteve 1930 deri në pushtimin italian dhe periudha mes viteve 1980-1990. Në të njëjtën kohë dallohen edhe tri periudha gjatë të cilave ekonomia dhe standardet e jetesës u përmirësuan ndjeshëm. Koha e pushtimit fashist solli investime, urbanizim, rritje të arsimit, zhvillim të infrastrukturës; periudha pas viteve ’60 solli intensifikimin e bujqësisë, tharjen e kënetave, hyrjen në vend të mekanikës dhe fertilizimit, elektrifikimin. Periudha e tretë e artë është kjo që po përjetojmë sot. Kriza e dekadës së para Luftës së Dytë Botërore dallohet në shumë të dhëna: norma e urbanizimit ose përqindja e popullatës që jetonte me punë jobujqësore u reduktua nga 15.9 për qind në vitin 1930, në 15.4 për qind më 1938. Eksportet shqiptare u rritën nga 2 milionë franga ar, në 12 milionë mes viteve 1923 dhe vitit 1931, por ranë në dy vitet e mëpasme në nivelin e vitit 1923. Katastrofa e atyre viteve arriti kulmin në vitet ‘35-‘36, kur qeveria filloi të shpërndajë ndihma ushqimore në zonat e varfra, gjë që i dha kombit protestat e tregimeve dhe poezive të Migjenit. Kjo krizë duket se qe pasojë e drejtpërdrejtë e Depresionit të Madh. Vendet që blinin mallrat shqiptare si SHBA-të vendosën tarifë për importet e djathit, ndërsa tregjet tradicionale të gjalpit e leshit në Greqi e Turqi u përmbytën nga shitja nën kosto e ushqimeve nga Bashkimi Sovjetik. Politika e kohës nuk është se bëri ndonjë gjë pozitive. Në vitin 1926, qeveria e Zogut dha me koncesion emisionin e monedhës shqiptare te një bankë italiane. Kjo e fundit nuk emetoi kurrë kartëmonedha të mjaftueshme për të kryer shitblerjet e zakonshme në ekonomi, gjë që solli pagesa të ulëta monetare të taksave dhe për rrjedhojë, një shtet të pafuqishëm për të investuar. Rritja ekonomike, sipas të dhënave të Maddison, qe mesatarisht 0.37 për qind në vit për periudhën 1929-1950.
Kriza e dytë ekonomike nisi gjithashtu me krizën botërore të viteve ’70, por u rëndua më shumë kur nafta e vendit shteroi dhe prodhimi i mineraleve bazë u pakësua. Në vitet ’80, kjo krizë mori përmasa katastrofike kur qeveria vendosi të kryejë tufëzimin e dhunshëm dhe pa shpërblim të të gjithë bagëtisë në vend. Numri i bagëtisë së trashë ra nga 606 mijë në vitin 1980, në 550 mijë në vitin 1983, gjë që solli mungesën e qumështit, djathit e mishit në treg dhe që përfundoi me rënien e komunizmit.
Por gjatë këtyre 100 viteve, ka pasur edhe periudha të arta. Periudha e parë e artë erdhi pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Italia e mbyti vendin me investime për ndërtim rrugësh, ndërsa emisioni monetar u çlirua nga kufizimet e Standardit të Këmbimit të Arit.
Periudha e dytë e artë nis me ndihmat sovjetike e më pas me ato kineze, të cilat mes viteve 1960 dhe 1980 sollën rritje të shpejtë ekonomike. Mes viteve 1950-1973, rritja e PBB-së për frymë qe mesatarisht 3.5 për qind në vit. Një rritje e konsiderueshme kjo, por që gjithsesi qe shumë më e ulët se sa ajo e fqinjëve. Greqia përjetoi gjatë kësaj periudhe një bum rritjeje me 6 për qind në vit, ndërsa Bullgaria u rrit me 5 për qind. Përveç faktit që rritja ekonomike qe shumë më e ngadaltë nga Greqia, që ishte një vend kapitalist, apo Bullgaria, Jugosllavia apo Rumania që qenë vende të kampit socialist, edhe norma e urbanizimit në Shqipëri qe shumë më e pakët e më e ngadaltë. Në fund të komunizmit, Bullgaria e Rumania qenë sakaq vende të industrializuara, ku mbi 70 për qind e popullatës jetonte në qytete. Në Shqipëri, ende 63 për qind e popullatës jetonte në fshat.
Periudha e fundit pozitive e ekonomisë shqiptare qe pas viteve ’90. Shqipëria është rritur me mesatarisht 5 për qind në vit.
Një fillim i deformuar
Shqipëria e nisi pavarësinë e vet në mënyrë të deformuar gjeografike. Kufijtë e vendosur në Londrën e largët i ngarkuan shtetit të ri një territor, ku dy të tretat qenë male dhe një e treta fushë. Ky deformim gjeografik u kthye shpesh në një deformim tregu dhe deformim demografik. Përgjatë historisë, zonat malore specializohen në prodhimet blegtorale dhe pyje, ndërsa zonat fushore prodhojnë drithëra buke. Tregtimi i këtyre dy kategorive të mallrave sjell ndarjen e punës dhe specializim, rrjedhimisht zhvillim ekonomik. Fushat e Shqipërisë perëndimore apo rrafshnalta lindore nuk prodhonte mjaftueshëm drithëra për të ushqyer të gjithë popullatën e vendit, ndërsa teprica e prodhimeve malore nuk kishte drithë për t’u shkëmbyer. Lënia e fushave të drithit të Kosovës e Maqedonisë Perëndimore jashtë kufijve të Shqipërisë dhe mbyllja e maleve tradicionale të këtyre zonave solli deformimin. Kjo duket se solli mungesë stabiliteti shoqëror dhe politik, fenomen që vijon të na rëndojë.
Shqipëria kishte densitetin e popullatës më të ulëtin në Europë kur u shpall shtet i pavarur, më pak se 29 banorë për kilometër katror. Në vitin 1923, Prefektura e Kosovës (Kukësi) kishte vetëm 18 banorë për km2, ndërsa Dibra kishte densitetin më të lartë me 39 banorë, pasuar nga Korça me 36 banorë.
Një vend me densitet kaq të ulët kishte mundësi të prodhonte lëndë drusore dhe blegtori, të dyja këto aktivitete që kërkojnë sasi të konsiderueshme toke dhe që qenë produktet më të rëndësishme të eksportit. Me përjashtim të minierës së Selenicës, nuk kishte aktivitete industriale për t’u shënuar. Më 1912, vendi kishte 34 ndërmarrje industriale dhe numri i tyre u rrit në 85 më 1922.
Ekonomi burimesh
Përgjatë të gjithë historisë së vet, Shqipëria ka qenë dhe në shumë drejtime, mbetet edhe sot, një ekonomi elementare që përdor punë të pakualifikuar dhe burime natyrore. Bumet ekonomike të përjetuara lidhen më së shumti me para të falura nga donatorë të huaj apo me zbulimin e burimeve natyrore. Kështu, rritja ekonomike mes viteve 1920 dhe 1930, për të cilën kemi të dhëna të kufizuara, ka shumë gjasa të jetë produkt i kredive italiane, të cilat qarkulluan në mënyra të ndryshme në ekonomi. Bumi i viteve ’60 lidhet me burimet natyrore të kromit, naftës dhe natyrisht, intensifikimit të përdorimit të tokës bujqësore. Ekonomia e sotme është më së shumti e bazuar te puna e pakualifikuar ose gjysmë e kualifikuar që shkon për eksport në formën e emigrimit apo përdoret për manifakturë veshjesh brenda vendit. Në të gjitha rastet, burime të tilla rezultojnë të përkohshme. Në vitin 1976 Shqipëria shënoi kulmin e prodhimit të naftës, me 2.6 milionë tonë në vit, gjë që ra në 1.5 milionë në vitet ’80. E njëjta gjë vërehet edhe me kromin.
Demografia
Askush nuk e di se sa shqiptarë gjendeshin brenda kufijve në vitin 1913, por regjistrimi i parë i kryer në vitin 1923, tregon se popullata e vendit qe 817 mijë vetë. Popullata u rrit në 1 milionë e 30 mijë në vitin 1930 dhe mbeti në stanjacion deri në vitin 1938, kur në vend u regjistruan 1 milionë e 45 mijë vetë. Në Kukës, Dibër e Elbasan, popullata shënoi rënie mes viteve 1923 dhe 1945. Vitet ’50 duhet të kenë qenë të tmerrshme për sa i përket vdekshmërisë foshnjore, e cila u rrit nga 80 për mijë që qe në vitin 1945, në 120 për mijë në mes të viteve ’50. Por në vitet ’60, më në fund penicilina mbërriti edhe në Shqipëri. Këto të dhëna u mbajtën sekret nga regjimi komunist për dekada të tëra dhe vetëm së fundmi kanë filluar të qarkullojnë. Shqiptarët e viteve ’60 rrisnin mesatarisht 7 fëmijë për nënë, por me kalimin e dekadave, fertiliteti ra. Qeveria komuniste zhvillonte fushata propagande pro rritjes së popullatës, por shqiptarët nuk e dëgjuan qeverinë, dhe në vitin 1990 kishte mesatarisht 3 fëmijë për nënë.
Top Channel