Pas përpjekjeve më shumë se tre vjeçare për të votuar në parlament me shumicë të cilësuar projektligjin “për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” e për pasojë dështimin e kësaj odiseje që do të sillte funksionimin e Gjykatës Administrative, ministri i drejtësisë Eduart Halimi zbulon “asin nën mëngë” që sjell sipas tij fitoren e lojës.
Gjatë një interviste, zoti Halimi tregon strategjinë që po vihet në zbatim në rast se projektligji nuk votohet dhe që ka lidhje me ngritjen e Dhomës Administrative.
“Nuk do të presim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë sepse është një godinë tjetër që do të jetë e përkohshme për Gjykatën Administrative. Godina është në rrugën “Don Bosko”. Është marrë në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe do përdoret për funksionimin e Gjykatës Administrative. Kemi punuar ngushte me zyren e administrimit te buxhetit gjyqesor. Ata kane perfunduar procesin e tenderimit per projektin. Gjithçka do të mbyllet brenda 6 muajsh dhe shqiptaret do të kenë ose një Dhomë Administrative ose një Gjykatë Administrative. Ne rast se deri ne ate kohe nuk do te kemi pelqimin per Gjykaten Administrative, aty do te vendoset Dhoma Administrative. Kjo zgjidhje teknike do te jepet shume shpejt”, shprehet Halimi.
Sipas ministrit të drejtësisë, po bëhet një studim për rishpërndarjen e gjyqtarëve, nga i cili synohet përqendrimi i gjyqtarëve në gjykatat më të mëdha e më tej 16 prej tyre do të kenë statusin e gjyqtarit administrativ.
Në shtator të vitit të kaluar parlamentarët nuk arritën të ngrenë të paktën 84 kartona jeshilë për projektligjijn e Gjykatës Administrative, çka solli dhe kritikat e shpeshta të Ambasadës Amerikane sepse ishte USAID që financonte me 16 milionë dollarë ndërtimin e kësaj gjykate.
Aktualisht drafti më i rëndësishëm që ka lidhje me reformën në drejtësine shqiptare vazhdon të mbetet pezull.
Top Channel