Ka “shumë të ngjarë” që avionët e NATO-s të kenë qenë pas sulmit fatal të orëve të natës ndaj një pike kontrolli në kufirin pakistanez.
Kështu ka deklaruar për BBC zëdhënësi i NATO-s, gjeneral brigade Carsten Jacobson, i cili ka bërë të ditur se Aleanca po heton se si ka ndodhur ngjarja.
Autoritetet Pakistaneze janë përgjigjur të irituara ndaj incidentit, që sipas tyre vrau të paktën 24 ushtarë pakistanezë. Kryeministri Yousuf Raza Gilani e cilësoi sulmin si “mizor” dhe organizoi një mbledhje urgjente të kabinetit të tij.
Qeveria pakistaneze mbylli menjëherë rrugët e vendit që përdoren për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan. Nga raportimet e fundit të mediave ndërkombëtare rezulton se disa kamionë që po kalonin në to janë detyruar të kthehen mbrapa.
Sipas agjencisë Reuters, sulmi ndodhi rreth orës 02:00 me orën lokale, të ditës së shtunë. Ushtarët pakistanezë të vrarë në këtë sulm mësohet se kanë qenë 1.5-2 kilometër larg kufirit më Afganistanin, ku kishin ngritur postbllokun.
Aleanca, në reagimin e parë të saj deklaroi se ishte vënë në dijeni të një “incidenti” dhe se kishte nisur hetimet për zbardhjen e tij.
Nëse konfirmohet, ky do të jetë incidenti më i rëndë ku përfshihen trupat e NATO-s dhe do të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet e vështira të Shteteve të Bashkuara me Pakistanin, marrëdhënie këto që janë tensionuar pas operacionit blitz të marinsave amerikanë që coi në vrasjen e Osama Bin Laden, më 2 maj të këtij viti.
Top Channel