Ngadalësimi i rritjes ekonomike po shkakton një valë revoltash edhe në vendin më të suksesshëm të dekadës së fundit, Kinë.
Disa mijëra punëtorë të një fabrike këpucësh në Dongguan, në provincën e Guangdongut, u përballën me policinë në kërkim të pagave më të larta. Gjatë javës, 18 punëtorë ishin hequr nga puna, së bashku me shkurtimin për pagesat për orët jashtë orarit, si rrjedhojë e rënies së kërkesës për prodhimet e fabrikës në tregun ndërkombëtar.
”Protestat vazhdojnë të jenë të pranishme, edhe pse nuk mund të zhvendosen në rrugët e qyteteve, pasi diçka e tillë pengohet rreptësisht nga policia”, u shpreh një punëtor. Ai shtoi se disa dhjetëra kolegë janë plagosur dhe janë shoqëruar në spital, thënie e pakonfirmuar, nga pamundësia e mediave ndërkombëtare për të patur akses në zonë.
Sipas ekspertëve, lëvizja aktuale është më e fuqishmja, që prej revoltave të punonjësve në verën e vitit 2010. Ekonomia e Kinës u shndërrua në të dytën më të madhe në botë gjatë këtij viti, pas një rritje spektakolare në dy dekadat e fundit.
Megjithatë, blerjet shtëpiake rannë me 25% gjatë tetorit dhe ekzistojnë shenja të ngadalësimit ekonomik, si rrjedhojë e krizës globale. Pavarësisht lulëzimit ekonomik, në Kinë ekzistojnë ndarje të mëdha midis të pasurve dhe të varfërve, ndërsa standarti i jetesës mbetet relativisht i ulët.
Top Channel