Një nënkampione olimpike në Pekin 2008 në garat me biçikleta për të paralizuar shpreson të konkurrojë në Londër 2012, mbi një biçikletë të vërtetë, pasi një aksident i risolli në funksionim këmbët.
Holandezja Monique van der Vorst, sot 27-vjeçare, mbeti e paralizuar pas një gabimi mjekësor, gjatë një ndërhyrje në nervat e këmbës, kur ishte vetëm 14 vjeç. Ajo gjeti forcë të përballej me handikapin e saj, duke u marrë me sport dhe u shndërrua në një profesioniste të garave të çiklizmit për të paralizuarit.
Me biçikletën e saj që pedalohej me duar, ajo arriti të fitonte dy medalje argjendi në Lojrat Paraolimpike të Pekin 2008. Katër vjet më parë, ajo nuk e kishte menduar kurrë se në Londër, mund të paraqitej për të fituar një medalje në çiklizmin e vërtetë.
Megjithatë, gjatë vitit të shkuar, Van der Vorst u përfshi në një aksident të rrezikshëm në stërvitje, së bashku me një kolegen e saj. Fillimisht, ajo ndieu një dhembje të lehtë në këmbë, diçka e pazakontë, pasi kishte humbur të gjitha ndjesitë nga mesi e poshtë. Brenda disa muajsh, ndjesitë në këmbë filluan të shtoheshin, deri sa për Krishlindje, Monique ishte në gjendje të ecte tërësisht si një njeri normal.
”Është një mrekulli të cilës nuk mund t’i japim shpjegim”, shprehen mjekët. Ndërkohë, çiklistja shpreson në një mrekulli të dytë. “Do të jetë shumë e vështirë për mua të kualifikohem për në Lojra Olimpike. Konkurrenca mbi biçikletat e vërteta është shumë më e fortë, por paraliza më ka mësëuar të jem e duruar dhe nëse s’do të jetë për këtë vit, do të përpiqem të kualifikohem në Brazil 2016. Jeta ime deri më sot ka qenë e çuditshme, pasi nga një fëmijë normal, të përfundosh në karrocë me rrota është traumatike. Tani, jeta ime ka perspektiva krejt të tjera”, deklaroi e reja.
Top Channel