Bjellorusi, dënohet me burgim aktivisti opozitar

24/11/2011 16:30

Një prej aktivistëve më të njohur bjellorus për më shumë të drejta dhe lëvizje demokratike në vend u burgos gjatë të enjtes, pasi u shpall fajtor për akuzën e evazionit fiskal.

Ales Belyatski, drejtues i grupit “Vyasna” (Pranvera), i cili denoncon shtypjen që i bëjnë autoritetet figurave të opozitës, duhet të qëndrojë në qeli për katër vjet e gjysmë pa të drejtë lirimi me kusht.

Belyatski u arresua në muajin gusht, pasi autoritetet zbuluan që ai kishte dy llogari bankare të padeklarura në Poloni dhe Lituani. Avokatët mbrojtës të aktivisitit e konsideruan lëvizjen e autoriteteve si politikisht të motivuar.

Më parë gjatë vitit, “Vyasna” u shndërrua në një prej kundërshtareve më të forta të presidentit Lukashenko, i cili ndërrmorri një fushatë të egër dhune ndaj opozitës, e cila organizoi një seri protestash, pas mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu u shprehën se u verifikuan shkelje të mëdha gjatë procesit zgjedhor.

Belyastski u akuzua për evazion fiskal pasi Polonia dhe Lituania pranuan të jepnin detaje për llogaritë e hapura në këto dy vende. Më pas, të dy këto shtete kërkuan falje për bashkëpunimin me autoritetet bjelloruse.

Kryediplomatja europiane, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, në një komunikatë të përbashkët bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA