Pano: Shqipëria të pastrojë drejtësinë

23/11/2011 00:00

Profesori i Universitetit të Ilinoit Perëndimor, Nikolla Pano, thotë se sistemi juridik në Shqipëri ka nevojë për depolitizim dhe pastrim nga njerëzit e pakualifikuar.

Në një intervistë për VOA, profesori i historisë ka deklaruar se pa një reformë të tillë të thellë hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të vonohet.

“Do të thosha se një ndër problemet më të mëdha të Shqipërisë është sistemi ligjor, sistemi juridik dhe mendoj se rrënjët e problemit shkojnë qysh përpara zgjedhjeve të 2009s. Ky është një nga problemet rrënjësore të tranzicionit pas komunist”, ka pohuar Pano, i cili ka renditur edhe problemet që ka ky sistem.

“Po cilat janë këto vështirësi? Së pari është nevoja për të depolitizuar sistemin ligjor. Është i nevojshëm emërimi i juristëve të kualifikuar në pozita drejtuese. Për shembull është diçka për të ardhur keq që ka vështirësi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese”, ka nënvizuar Pano.

Sipas tij, problem janë edhe gjyqtarët e pakualifikuar, ata të korruptuar, si dhe transferimi i vazhdueshëm i atyre të tjerë.

“Po ashtu, kur shikon se disa gjyqtarë ose juristë transferohen në mënyrë periodike, ose kur shikon se disa gjyqtarë janë të përfshirë kokë e këmbë në korrupsion, gjë që minon besueshmërinë e sistemit ligjor. Në Shqipëri, ka gjithashtu gjyqtarë që më duket se nuk janë sa duhet të kualifikuar për postet që mbajnë”, ka theksuar Pano.

Më tej profesori ka përshëndetur sinjalet pozitive për bashkëpunim të dhënë nga pozita dhe opozita, pas më shumë se dy vjetësh ngërçi politik.

“Jam mjaft i inkurajuar nga zhvillimet e disa javëve të fundit në Shqipëri. Duket se ka një interesim për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka krijuar kaq vështirësi në vend. Jam i kënaqur që Partia Socialiste tani duket e angazhuar për të marrë pjesë në punimet e parlamentit si edhe në punën e komisioneve të ndryshme të tij. Mendoj se është tepër herët për të gjykuar në mënyrë përfundimtare mbi këtë çështje, por mendoj se të paktën për momentin, duket se kemi shenja pozitive”, ka deklaruar Pano.

Top Channel