Burrel, Topi shpallet Qytetar Nderi

23/11/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi u shpall Qytetar Nderi i Burrelit. Qyteti, që është kryqendra e Matit, drejtohet nga një grua, Adelina Farrici, përfaqësuese e Partisë socialiste.

Por këshillin bashkiak e kontrollojnë demokratët. Gjatë takimit me ta, presidenti vuri në dukje frymën e bashkëpunimit që ekziston, deri më tani, në qytet.

“Shembulli që ju jepni në këtë bashki duhet të vazhdojë. Demokracia është respekt, komunikim dhe debat, është vendimmarrje dhe në fund fare, është dhe rotacion. I kemi të gjitha shanset që, duke bashkërenduar forcat, të bëjmë vepra të mira”, deklaroi Topi.

Në motivacionin e titullit Qytetar Nderi, miratuar me unanimitet nga Këshilli bashkiak, këshilltarët kishin theksuar pikërisht rolin moderator, sipas tyre, të kreut të shtetit. Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Kulturës, në prani edhe ambasadorit të Danimarkës në Shqipëri.

“Si intelektual i shquar, mbartës i vlerave qytetare të trevës që e lindi, shtetar i ekuilibruar, korrekt e i paanshëm, dhe për dashamirësinë e treguar për Matin dhe matjanët”, deklaroi Hysen Puka, anëtar demokrat i Këshillit.

Me emocion dhe pak humor, presidenti tha se tani do të jetë i detyryar të ndalojë më shpesh për kafe në qytet.

“Shpesh herë njeriut i qëllon që duke shkuar edhe në Dibër, edhe në Bulqizë, nga nxitimi ndoshta nuk ndalon për të pirë një kafe në Burrel. Pas kësaj, unë e kam të detyrueshme të ndaloj këtu, sepse realisht ndjehem si ju, pjesë e rëndësishme e këtij qyteti që më nderoi”, tha Topi.

Presidenti e mbylli vizitën në Burrel me një ndalesë në Muzeun Historik, ku janë ekspozuar një larmi objektesh të zonës, si edhe dokumente që vërtetojnë lashtësinë e vendbanimeve të Matit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta