Mëse njëherë Luan Rama e cilësoi procesin ndaj Ilir Metës si një proces
politik. Ai e ilustroi këtë, me zhvillimet e seancës gjyqësore të një
dite më parë.
“Provoi me shkresa dhe dokumenta zyrtare, jo vetëm falsitetin e të gjithë procesit politik ndaj zotit Meta, por edhe pathemeltësinë dhe manipulimin e provave për të mashtruar opinionin publik”, tha Rama.
Luan Rama tha se ish-ministri Dritan Prifti nuk ia dha tenderin e naftës kompanisë së shtetasit Bekim Halilaj, e vetmja që plotësonte dokumentat e tenderit, sepse ia kishte dhënë disa ditë përpara se të bëhej tenderi një firme tjetër, pronari i së cilës ishte njëkohësisht bashkëpronar me gruan e ministrit në një fabrikë tullash.
“Kemi në dorë akt-marrëveshjen që mban datën 10.02.2010 ndërmjet shoqërisë tregtare ‘Albpetrol’ dhe shoqërisë ‘TEA Construction Petrol’. Pra e theksoj, është e datës 10 shkurt, ndërkohë që video-përgjimi është i disa ditëve më pas”, tha Rama.
Luan Rama e mbylli konferencën e tij me akuza për një proces me akuza dhe prova të falsifikuara, por tha se respektonte integritetin dhe pavarësinë e gjykatës:
“Ilir Meta nuk është në betejë ligjore me drejtësinë, por, në respeket të autoritetit të organeve të drejtësisë, Ilir Meta është në betejë për drejtësinë”, tha Rama.
Dëshmon Prifti: Video origjinale
Për katër orë rresht, Dritan Prifti, dëshmitari ndoshta më i rëndësishëm që drejtësia shqiptare ka patur ndonjëherë deri më tani në gjykatë, ka folur për llogari të procesit gjyqësor ndaj ish-zevendeskryeministrit Ilir Meta.
Prifti iu përgjigj pyetjeve të prokurorit dhe të dy avokatëve të zotit Meta, duke shpjeguar para Kolegjit Penal arsyet që e shtynë të bënte këtë regjistrim, e duke theksuar disa herë se në video-regjistrimin e kryer prej tij nuk ka asnjë ndërhyrje, as në zë dhe as në figurë.
Dëshmitari Dritan Prifti argumentoi se e kishte mbajtur filmimin përgjatë një viti për shkaqe sigurie për veten dhe familjen, pas njoftimit që i kishte bërë kryeministrit Berisha për këtë gjë dhe mungesën e reagimit nga ana e tij.
Top Channel