Dori është nga fshati Fiershegan i Lushnjës. Ajo na tregon se sa e madhe ka qenë dëshira e saj për të arritur kryeqytetin.

“Quhem Doriana Kuçi. Jam 18 vjeç dhe sapo kam nisur studimet për kimi ushqimore në Fakultetin e Shkencave në Tiranë. Kjo degë ka qenë ëndrra ime dhe kam arritur ta realizoj”, shprehet Doriana.

Dëshira shumë e madhe prindërore për të mbështetur studimet e fëmijëve nuk e shuan gjithsesi merakun e tyre për vajzat që fitojnë jetesën vetëm në një qytet gjigand.

“I thashë që kishte mbështetjen time në vazhdimin e shkollës. Është në konvikt dhe kam shumë merak të them të drejtën. I flas shpesh”, thotë nëna e Dorianës.

Në rastin e Dorianës, prindërit përpiqen që të mos e lëshojnë vajzën nga kontrolli, megjithë lirinë e fituar.

“Prindi gjithmonë ka merak. Kam shkuar shpesh ta vizitoj”, thotë babai i vajzës.

“Vetë jeta e fshatit nga ajo e qytetit ndryshon, por edhe me ndihmën e shoqeve mendoj se do ja dali”, shton nëna.

“Tirana është një qytet i madh dhe kur vijmë në Tiranë jemi pa mbështetjen e familjes dhe pa mbrojtjen e tyre. Sigurisht që frika ekziston”, tregon Doriana.

Megjithë vështirësitë që të ofron një qytet i huaj, sfida nuk është përshtatja, por t’u bësh ballë paragjykimeve. Shpesh herë Tirana është sa mikëpritëse, aq edhe përjashtuese.

“Ne shoqërohemi me studentet e rretheve që jetojnë në konvikt. Studentët e Tiranës nuk rrinë me ne edhe pse nuk e tregojnë hapur, por ne ndihemi të paragjykuar”, shton Doriana.

Fludina Shima vjen për të studiuar në Tiranën e mundësivë të mëdha nga Shkodra. Ja se sa e egër është për të mikpritja në metropol.

“Kur kam ardhur në fillim komunikimi me njerëzit ka qenë shumë i vështirë sepse nuk na pëlqejnë shumë ne të rretheve”, thotë Fludina.

Ka gjithmonë një arsye pse.

“Kur vjen nga një qytet tjetër dhe nuk ke familjen pranë njeriu “lirohet”, sidomos në vitin e parë dhe bën gjëra që më parë nuk i ke bërë aq shpesh”, shpjegon Fludina.

Dhe kështu krijohen ndasitë. Tiranaset mbrojnë territorin, ndërsa të ardhurat kërkojnë mbijetesën për të fituar pozita më të mira në shoqëri.

“Për momentin thjesht flasim për mësimet, nuk dalim jashtë mësimit”, thekson studentja nga Shkodra.

Gerta, studentja e vitit të dytë të degës së gazetarisë, disa faza i ka kaluar. Por, përballjen me Tiranën vështirë ta harrojë lehtë: “M’u duk vetja sikur nuk isha në Shqipëri. Tirana më është dukur e zhurmshme, e madhe dhe thashë “oh, a do i’a dal?”

“Ka biseda mbi origjinën dhe ka paragjykime, por pasi na njohin “tironsit” ndryshojnë mendim”, thotë Gerta.

Të paktën rrëfimi i eksperiencës së saj nuk është aq depresues dhe pa shpresa për të rejat që duhet të mësojnë të bëjnë durim.

“E kam patur të vështirë, por u ambjentova”, përfundon Gerta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA