Sheshi Tahrir, i shndërruar në një simbol të protestave që shënuan fundin e regjimit të Mubarakut në shkurt, por vetëm pasi qindra persona kontribuan me jetën e tyre, është përgjakur përsëri.
Ditën e hënë, më shumë se 20 persona humbën jetën dhe mbi 1 700 u plagosën. Këtë herë, njerëzit protestojnë kundër Këshillit Suprem të Ushtrisë, që kontrollon vendin në cilësinë e një qeverie provizore. Ishin të njëjtët demonstrues, që në momentet vendimtare të rrëzimit të regjimit të mëparshëm autoritar, brohorisnin “populli dhe ushtria janë një”.
Tashmë, shumë revolucionarë ndiejnë që entuziasmi i tyre ishte naiv dhe festimet të parakohshme. Por, çfarë ka ndodhur për të ndryshuar ndienjat e popullsisë civile në këtë mënyrë?
Arsyeja kryesore është që shumë prej figurave drejtuese të ushtrisë, janë të lidhur fort me regjimin e kaluar. Veprimet e fundit, si legjitimimi i pjesëmarrjes së partisë së Mubarakut në zgjedhjet e para demokratike, të planifikuara për t’u mbajtur javën e ardhshme, e ka forcuar këtë bindje midis popullsisë.
Sipas njerëzve që kanë rrezikuar dhe humbur jetën e tyre në qendër të Kajros, i gjithë revolucioni po shkon dëm sepse në vend të Mubarakut, tashmë në pushtet po vendosen aleatët e tij më të afërt, të caktuar gjithashtu nga ai. Feld-marshalli Hussein Muhammad Tantawi, aktualisht drejtues i qeverisë në cilësinë e ushtarakut me gradën më të lartë në vend, ka shërbyer për dy dekada me radhë si Ministër i Mbrojtjes, gjatë regjimit të Mubarakut.
Arsyeja e dytë përse njerëzit janë rikthyer të protestojnë fuqishëm, lidhet me vendosmërinë e islamistëve, grupimit politik më të mbështetur në vend, për të mos njohur privilegjet dhe vetot e shumta të pushtetit, që kushtetuta i njeh ushtrisë.
Sipas tyre, qeveria e re që “Vëllazëria Muslimane” pritet të formojë, është e dështuar pa nisur ende punën, pasi pushtetin real do ta kenë ushtarakët. Islamistët kërkojnë që qeveria e përkohshme të amendojë në mënyrë të menjëhershme kushtetutën, për të përcaktuar se ushtria nuk mund të ketë asnjë rol në jetën civile, me përjashtim të revoltave ndaj rendit publik e katastrofave natyrore, model që ndajnë pothuajse të gjithë vendet perëndimore.
Në Tahrir, janë rikthyer gjithashtu edhe studentët, të papërfaqësuar në ndonjë grupim politik, por të pakënaqur nga retorika politike e islamiste, e cila ka lënë tërësisht në harresë qëllimin përse nisi revolucioni kundër Mubarakut, reformat e domosdoshme ekonomike.
Në këto kushte, pavarësisht pretendimeve të Këshillit Ushtarak Suprem, se zgjedhje do të mbahen siç janë përcaktuar në datën 28 nëntor, është e paqartë se kur do të mbahen realisht këto zgjedhje. Sipas disa zërave, ato mund të shtyhen deri pas 2013-s.
Ekspertët ndërkombëtarë veçojnë faktin se ky është një moment veçanërisht i rëndësishëm në historinë e Egjiptit, i cili po përpiqet të ndahet nga trashëgimia e tij e kaluar.
Që prej vitit 1952, shteti me 84 milion banorë është drejtuar nga katër lidera të ndryshëm, të gjithë të ardhur nga profile ushtarake.
Protestat në Egjipt, rëndohet bilanci tragjik
Bilanci tragjik i përballjeve të dhunshme në Egjipt ka kaluar 20 të
vdekur dhe mbi 1 700 të plagosur, konfirmuan burimet zyrtare pasditen e
së hënës.
Përballjet në sheshin Tahrir në Kajro janë rikthyer pasi disa vendime të gjykatës mbi zgjedhjet e planifikuara të mbahen javën e ardhshme, kanë përhapur frikën se autoritetet ushtarake që kontrollojnë vendin, mund të mbeten në pushtet. Gjithashtu, protestuesin janë të indinjuar nga lejimi i pjesëmarrjes në zgjedhjes së partisë së ish-diktatorit Mubarak.
Një ministër ka dhënë dorëheqjen si rrjedhojë i pamundësisë së kontrollimit të revoltave. Më parë gjatë ditës, agjensitë ndërkombëtare të lajmeve folën për 33 të vdekur, por në morg janë numëruar vetëm 22 trupa.
25 parti politike në Egjipt janë bashkuar në kërkesat e tyre për dorëheqjen e disa ministrave të tjerë, të konsideruar si përgjegjës për gjendjen e krijuar.
Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i udhëhequr nga feld-marshalli Mohamed Tantawi, është ngarkuar me mbikqyrjen e tranzicionit të vendit në demokaci, pas tre dekadash regjimi autoritar të Mubarakut, i dorëhequr në shkurt.
Gjatë protestave janë dëgjuar thirrje që kërkojnë edhe largimin e Tantawit. Ekziston frika se situata mund të degradojë në një tjetër revolucion të dhunshëm, ndërsa është e paraqartë nëse do të jetë e mundur të mbahen zgjedhjet sipas afatit.
Top Channel