Kompania e cigareve hedh në gjyq Australinë

21/11/2011 16:20

Gjigantët e prodhimit të cigareve, “Philip Morris”, kanë nisur një proces gjyqësor ndaj shtetit australian, i cili ka miratuar një ligj për vendosjen e imazheve të frikshme në paketat e duhanit, duke nisur nga dhjetori 2012.

Më parë gjatë nëntorit, shteti kontinent vendosi që tregëtimi i cigareve të nisë të kryhet në paketa ku përveç paralajmërimit për sëmundjet që shkakton, të vendosen edhe imazhe të deformimeve të duhanpirjes. Gjithashtu, paketat do të jenë të bardha, për të rënë sa më pak në sy dhe emri i firmës prodhuese do të vendoset vetëm në pjesën e padukshme të kutisë.

Sipas Kanberrës zyrtare, ligji është një prej “më të dobishmit për garantimin e shëndetit publik”. Megjithatë, “Philip Morris” pretendon se me këtë veprim, qeveria australiane ka shkelur një marrëveshje tregëtare të mëparshme të lidhur midis tyre.

”Philip Morris” argumenton se heqja e simbolit dallues të firmës do të reduktojë përfitimet e saj, ndërsa do t’i japë krahë zhvillimit të tregëtisë së paligjshme të duhanit.

Zëdhënësja e firmës për Azinë, Anne Edëards, deklaroi: “Autoritetet australiane kanë miratuar një legjislacion ndëshkues, pa treguar se ai do të ketë ndonjë ndikim në përmirësimin e shëndetit publik. Në bazë të këtij ligji, të vetmit që dëmtohemi jemi ne. “Philip Morris” është e vendosur të përballet në një betejë gjyqësore, për të mos lejuar shpërdorimin e emrit tonë. Me të gjitha masat antiduhan, paketimi është një prej mundësive të fundit që na ka mbetur për publicitet dhe nuk është e drejtë që edhe kjo mundësi të privohet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA