Genocidi, nis gjyqi ndaj tre “Kmerëve të Kuq”

21/11/2011 21:00

Tre zyrtarët më të lartë të mbetur gjallë nga regjimi i terrorit të “Kmerëve të Kuq”, në Kamboxhia, u përballën për herë të parë me drejtësinë ditën e hënë, në një proces ku ndaj tyre rëndojnë akuzat e genocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe masakrave në masë.

Midis të pandehurve është Nuon Chea, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i diktatorit famëkeq, Pol Poti. Ky i fundit nuk mund të përballet me drejtësinë, pasi ka vdekur në vitin 1998.

Të tre të akuzuarit janë në të 80-tat e tyre. Regjimi i “Kmerëve të Kuq” ra në vitin 1979, pasi zgjati katër vjet, por procesi i ndëshkimit të figurave të përfshira në ato krime të tmerrshme ka zgjatur shumë gjatë.

Autoritetet e Kamboxhias i kërkuan OKB-së që të asistonte në ngritjen e një gjykate për hetimin e krimeve të genocidit, në mes të viteve 1990, por ajo u ngrit vetëm në 2006-n.

Megjithatë, për befasinë e autoriteteve, procesi gjyqësor është kritikuar pikërisht nga viktimat e genocidit që shfarrosi 1,7 milion banorë në një popullsi prej pak më shumë se katër milionësh. Sipas tyre, përveç faktit që edhe nëse dënohen, të dënuarit s’do të kenë kohë të mjaftueshme të vuajnë dënimin gjatë për shkak të moshës, vendosja e vetëm tre personave përballë drejtësisë për monstruozitete të tilla është një tallje ndaj kujtimit të viktimave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA