Kur në vend vazhdojnë protestat kundër Këshillit Suprem të Ushtrisë, qeveria civile, që vepronte nën mbikëqyrjen e këtij Këshilli, dorëzoi dorëheqjen.
Kryeministri Essam Sharam, bashkë me ministrat e kabinetit të tij dhanë dorëheqjen përballë një situate aspak të favorshme në vend. Mësohet se dorëheqja është pranuar nga Këshilli Suprem Ushtarak, kundër të cili mbahen edhe protestat popullore.
Manifestuesit akuzojnë Këshilli Suprem se me anë të kushtetutës së re kërkon të mbajë nën kontrollon cilëndo qeveri civile që do të pasojë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Madje, disa nga protestuesit shkojnë më tej duke thënë se Këshilli Suprem Ushtarak është vegël e ish-presidentit të rrëzuar, Hosni Mubarak që e kontrollon atë nga qelia e burgut.
Ditën e hënë, më shumë se 20 persona humbën jetën dhe mbi 1 700 u plagosën. Këtë herë, njerëzit protestojnë kundër Këshillit Suprem të Ushtrisë, që kontrollon vendin në cilësinë e një qeverie provizore. Ishin të njëjtët demonstrues, që në momentet vendimtare të rrëzimit të regjimit të mëparshëm autoritar, brohorisnin “populli dhe ushtria janë një”.
Tashmë, shumë revolucionarë ndiejnë që entuziasmi i tyre ishte naiv dhe festimet të parakohshme. Por, çfarë ka ndodhur për të ndryshuar ndienjat e popullsisë civile në këtë mënyrë?
Arsyeja kryesore është që shumë prej figurave drejtuese të ushtrisë, janë të lidhur fort me regjimin e kaluar. Veprimet e fundit, si legjitimimi i pjesëmarrjes së partisë së Mubarakut në zgjedhjet e para demokratike, të planifikuara për t’u mbajtur javën e ardhshme, e ka forcuar këtë bindje midis popullsisë.
Sipas njerëzve që kanë rrezikuar dhe humbur jetën e tyre në qendër të Kajros, i gjithë revolucioni po shkon dëm sepse në vend të Mubarakut, tashmë në pushtet po vendosen aleatët e tij më të afërt, të caktuar gjithashtu nga ai. Feld-marshalli Hussein Muhammad Tantawi, aktualisht drejtues i qeverisë në cilësinë e ushtarakut me gradën më të lartë në vend, ka shërbyer për dy dekada me radhë si Ministër i Mbrojtjes, gjatë regjimit të Mubarakut.
Arsyeja e dytë përse njerëzit janë rikthyer të protestojnë fuqishëm, lidhet me vendosmërinë e islamistëve, grupimit politik më të mbështetur në vend, për të mos njohur privilegjet dhe vetot e shumta të pushtetit, që kushtetuta i njeh ushtrisë.
Islamistët kërkojnë që qeveria e përkohshme të amendojë në mënyrë të menjëhershme kushtetutën, për të përcaktuar se ushtria nuk mund të ketë asnjë rol në jetën civile, me përjashtim të revoltave ndaj rendit publik e katastrofave natyrore, model që ndajnë pothuajse të gjithë vendet perëndimore.
Në Tahrir, janë rikthyer gjithashtu edhe studentët, të papërfaqësuar në ndonjë grupim politik, por të pakënaqur nga retorika politike e islamiste, e cila ka lënë tërësisht në harresë qëllimin përse nisi revolucioni kundër Mubarakut, reformat e domosdoshme ekonomike.
Në këto kushte, pavarësisht pretendimeve të Këshillit Ushtarak Suprem, se zgjedhje do të mbahen siç janë përcaktuar në datën 28 nëntor, është e paqartë se kur do të mbahen realisht këto zgjedhje. Sipas disa zërave, ato mund të shtyhen deri pas 2013-s.
Ekspertët ndërkombëtarë veçojnë faktin se ky është një moment veçanërisht i rëndësishëm në historinë e Egjiptit, i cili po përpiqet të ndahet nga trashëgimia e tij e kaluar.
Që prej vitit 1952, shteti me 84 milion banorë është drejtuar nga katër lidera të ndryshëm, të gjithë të ardhur nga profile ushtarake.
Top Channel