Kryeministri Sali Berisha ka nisur vizitën zyrtare në Izrael, duke patur si qëllim dy objektiva kryesorë: konsolidimin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, si dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Për të dyja këto prioritete të kësaj pjese të politikës së jashtme, kryeministri Berisha ka gjetur dakortësinë me Presidentin izraelit, Shimon Perez, prej të cilit mori premtimin se do të inkurajojë qeverinë e Izraelit për nxitjen e marrëdhënieve në fushën ekonomike.
Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, kryeministri Berisha u takua edhe me numrin dy të qeverisë izraelite dhe Ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman, i cili e njohu me vendimin e Izraelit për të hapur vitin e ardhshëm përfaqësinë diplomatike në Tiranë.
Për kryeministrin Berisha vendimi është tregues i rëndësisë që Izraeli i jep marrëdhënieve me Shqipërinë, kur mes dy vendeve, pak kohë më parë, janë hequr edhe vizat.
“Në shumë vende që ishin bërë kërkesat dhe ishin shqyrtuar, Tirana ishte nga ato të paktat kryeqytete ku qeveria e Izraelit ka vendosur të hapa ambasadën çka përbën një hap shumë të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve të dy vendeve tona”, tha Kryeministri Berisha.
Nga pikëpamja politike, Shqipëria, edhe pse me një zë modest në arenën ndërkombëtare, ka përkrahur inisiativat diplomatike të Izraelit, sic ishte rasti i fundit në Neë York për të penguar autoritetin palestinez në kërkesën e tij për t’u njohur si vend anëtar në OKB.
Një qëndrim pro-izraelit, kryeministri Berisha tregoi edhe në Jeruzalem gjatë takimit me kryetarin e parlamentit të Izraelit, ku u shpreh se “Shqipëria vlerëson mbështetjen që qeveria izraelite i bëri deklaratës së Kuartetit si një udhërrëfyes me hapa konkrete që çojnë drejt paqes, si dhe uron që edhe pala palestineze të bëje të njëjtën gjë”- u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke mbajtur këtë qëndrim, Kryeministri Berisha ndoshta ka llogaritur që të sigurojë tek Izraeli një nga vendet kryesore për investime të huaja në Shqipëri.
Megjithëse me një historik të shkurter si shtet, Izraeli konsiderohet si një nga vendet më të përparuara në zhillimin ekonomik dhe industrial në Azinë Juglindore.
Gjithashtu ekonomia e Izraelit është renditur si ekonomia e parë më e qëndrueshme në botë përballë krizës globale dhe përvec zhvillimit të lartë teknologjik, izraeli është vend lider në zhvillimin e teknologjisë diellore.
Këto janë arsye të mjaftueshme pse Kryeministri Berisha po ndjek një politikë agresive me vende si Norvegjia dhe Izraeli për t’i ftuar ata të investojnë në Shqipëri.
Prandaj kryeministri vlerësoi si shumë frytdhënës takimin me Ministrin e Energjisë dhe ujrave të Izraelit, me të cilin është rënë dakord të bëhen përpjekje për të nxitur kompanitë izraelite për të marrë pjesë në projektet e energjisë së rinovueshme.
Aktualisht në Shqipëri veprojnë disa kompani izraelite që kanë fituar koncensione për ndërtimin e hidrocentraleve, por sipas Kryeministrit Berisha potenciali më i madh është në energjinë diellore dhe eolike.
Me premtuan se do të përdorin të gjitha mekanizmat zyrtarë dhe qeveritarë të këtij vendi, për të inkurajuar, për të mbështetur, për të nxitur kompanitë izraelite të cilat duan të investojnë në Shqipërinë fushën e ujërave, në fushën e energjisë, të turizmit dhe në fusha të tjera”, shtoi Berisha.
Vizita në Izrael do të ishte e paplotë pa një vizitë në vendet më të shenjta të njerëzimit dhe besimeve fetare në qytetin e vjetër të Jeruzalemit.
Duke ndjekur traditat hebreje, Kryeministri Berisha vizitoi edhe murin perëndimor, që besohet se është e vetmja pjesë e mbetur e tempullit të Solomonit, në malin Zion, vendi më i shenjtë i judaizmit.
Në besimin hebraik thuhet se muri perëndimor është më afër me portën e parajsës dhe lutjet dëgjohen më mirë nga Zoti.
Një lutje të tillë me kvitela, letra të vogla që besimtarët vendosin në murin perëndimor, bëri edhe Kryeministri Berisha, i cili e përkufizoi këtë vizitë të mbushur nga misteret dhe sekretet e besimeve të mëdha, si një nga më frymëzueset, që i krijoi ndjesi të shumta për të shkuaren, por edhe shumë besim për të ardhmen.
Top Channel