Spanjollët po votojnë në zgjedhjet parlamentare në kohën kur në Spanjë dominon papunësia e lartë, reduktimet në shpenzimet publike dhe frika se ky vend do të jetë anetari tjetër i Eurzonës, që do të ketë nevojë për një paketë shpëtimi për problemet e borxhit.
Sondazhet tregojnë kryesuese Partinë Popullore, të qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Mariano Rajoy Brey ndaj socialistëve që janë në pushtet. 56-vjeçari fitoi mbështetje duke premtuar shërimin e problemeve ekonomike të vendit dhe reduktimit të papunësisë.
“Këto vite kanë qenë të vështira për Spanjën dhe tani unë dua që kjo të marrë rrugën që duhet në një vend të madhërishëm dhe të civilizuar si i yni”, tha Rajoy.
Kryeministri spanjoll Jose Luis Rodriguez Zapatero, në pushtet prej vitit 2004, deklaroi se nuk do të kërkojë sërish postin e kryeministrit në rast fitoreje.
“Ne kemi mësuar gjatë këtyre 30 viteve të demorkacisë se votimi është mënyra më e mirë për tu përballur me problemet e vendit tonë dhe për të besuar se mund t’i kalojmë ato. Dhe sot, më shumë se kurrë e ardhmja është në duart e qytetarëve”.
Ish-ministri i Brendshëm, Alfredo Perez Rubalkaba, kandidati i Partisë Socialiste për kryeministër, akuzoi Rajoy se po planifikon të bëjë reduktime të forta në shëndetësi dhe arsim: “Ne do ta nxjerrim vendin nga kriza, do të krijojmë vende pune, por në të njëjtën kohë ne u themi qytetarëve se me ne do të kenë më shumë siguri. Nëse do të sëmuren do të kenë spitale më të mira publike, fëmijët e tyre do të kenë një shkolle të mirë për të ecur përpara, nëse ata humbin punën do të marrin përfitime, kur të lënë punën, do të marrin pension.”
Nivelet e huamarrjes kanë kaluar 6 % përgjatë gjithë javës, shumë pranë7% që shihet si i paqendrueshëm. Analistët janë të mendimit se fituesi duhet të veprojë shpejt për t’i dhënë garanci tregjeve se Spanja është e angazhuar për të paguar borxhet.
Nga këto zgjedhje do të dalin 350 deputetët e Parlamentit të ardhshëm dhe 208 senatorë. Procesi nisi në orën 09.00 të mëngjesit dhe pritet të përfundojë në orën 20.00, ndërsa rezultatet e plota do të publikohen disa orë më vonë.
Top Channel