Në muajin dhjetor, qeveria pritet të miratojë kushtet e kontratës dhe projektin e dhënies me koncesion të rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës, ndërsa në janar parashikohet të hapet tenderi për përzgjedhjen e firmës private e cila do të mirëmbajë tunelin e Thirrës prej 6 km.
Këto janë informacionet paraprake mbi projektin e vendosjes së tarifës për kalimin e rrugës, 60 km të gjatë. Gazeta “Shqip” publikoi të dielën detajet e para të projektit mes qeverisë shqiptare dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare, i firmosur në janar të këtij viti, për gjetjen e formës së dhënies me koncesion të tunelit.
Mësohet se IFC e ka kryer studimin mbi eficiencën e rrugës dhe shpenzimeve që nevojiten për mirëmbajtjen, ndërsa pritet që termat e projektit të miratohen në qeveri dhe më pas të kalohet në hapjen e tenderit.
Paraprakisht mendohet se pagesa për kalimin e tunelit do të jetë 5 euro për autoveturat dhe 10 euro për mjetet e rënda, si autobusët apo kamionët. Burime konfidenciale nga të dyja kampet pohojnë për gazetën se, tarifat do të variojnë nga 5 deri në 10 euro, në varësi të mjetit, ndërsa në tunel do të instalohet një pajisje elektronike që bën të mundur identifikimin e kartës dhe pagesën e detyrimit, i cili shlyhet vetëm nga drejtuesi i mjetit.
Aktualisht për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen-Kalimash, buxheti i Drejtorisë së Rrugëve ka akorduar një fond vjetor rreth 2 milionë euro, që shkojnë për kosto operative të ndryshme, ndërsa sa i takon dëmtimeve të aksit, vijon të mbetet nën mbikëqyrjen e kompanisë turke. Por studimet e fundit tregojnë se për mirëmbajtjen e kësaj rruge qeverisë do t’i duhen më tepër fonde, për shkak të amortizimit me kalimin e viteve.
Duke pasur parasysh tarifat prej 5-10 euro dhe me mesataren e mjeteve që kalojnë në ditë, qeveria mund të mbledhë vetëm nga tuneli rreth 13 milionë euro në vit, e ardhur kjo që del më pak se 10 për qind e normës së amortizimit në një vit, pasi tuneli ka kushtuar rreth 280 milionë euro.
Sa i takon mesatares së mjeteve të transportit rrugor, ministri Sokol Olldashi thotë se, “nga studimet rezulton një trafik prej 12 000 mjetesh në verë dhe 4000 në dimër, pra mesatarisht 7500 mjete”.
Sipas tij, kemi një rrugë që përdoret 5 herë më shumë nga sa parashikonin projektuesit. Për projektin me IFC-në, Ministri deklaroi këtë javë se, po shikohet mundësia për t’i dhënë me koncesion të gjitha rrugët kombëtare, pasi mirëmbajtja dhe operimi i tyre ka një kosto të madhe.
Qeveria mendon se operimi dhe mirëmbajtja e rrugëve me privatin do të ishte forma më e duhur. Sipas studimeve të fundit, qeverisë do t’i kushtojë me dhjetëra milionë euro mirëmbajtja e rrugëve.
Vetëm për rrugën Rrëshen-Kalimash u shpenzuan 826 milionë euro, ku kostoja e tunelit arriti në rreth 280 milionë euro. Si kosto njësi, rezulton se për rrugën janë shpenzuar 9 milionë euro/km dhe për tunelin është 46 milionë euro/km.
Top Channel