Kryeministri, Sali Berisha është ndeshur me një suprizë të pakëndshme të shtunën teksa inspektonte një pjesë të punimeve të tunelit Tiranë-Elbasan.
Në prani të tij, ndërtuesi i rrugës ngriti cështjen e vonesës së pagesës për volumin e punës së kryer deri tani. Vonesat nuk janë një element i ri për firmat kontraktuese, por së fundi atyre i është shtuar edhe faktori krizë në vendet fqinje.
Vonesat në shlyerjen e kompanisë, “Aktor”, që po ndërton tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan, lidhen me krizën e sistemit financiar në Greqi.
Një ditë më parë drejtuesi i kompanisë i tha kryeministrit se vëllimi i punimeve në tunel është kryer pa asnjë pagesë, dhe shkaku lidhet pikërisht me rënien e besimit ndaj bankave greke.
Institucioni që duhet të kryejë pagesat për tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan, për llogari të kompanisë greke aktor është banka islamike për zhvillim si financues i këtij projekti me vlerë 101 milionë dollarë sipas një marrëveshje që ajo ka lidhur me qeverinë shqiptare.
Por që pagesa të kryhet duhet më parë, që pranë bankës kompania të dërgojë garancinë e performancës së kontratës, një kusht standard për kontratat publike me financime të huaja, që shërben si masë mbrojtëse në rast se punimet rezultojnë me defekt.
Vlera e garancisë është 10 për qind e totalit të kontratës, që për tunelin Tiranë-Elbasan përkthehet në 10.1 milionë dollarë. Zakonisht bizneset nuk disponojnë shuma kaq të mëdha në kesh dhe u drejtohen bankave të mbulojnë garancitë e tyre, kundrejt një pagese të caktuar.
Top Channel ka mësuar se disa nga bankat greke të përzgjedhura nga kompania “Aktor” për garancinë, nuk janë pranuar nga banka islamike, për shkak të besueshmërisë së ulët ndaj tyre. Ndërsa disa banka të tjera me një renditje më të mirë në sistemin financiar kanë pranuar ta lëshojnë garancinë por kundrejt komisioneve më të larta që duhet të paguheshin nga kompania.
Për shkak të kësaj situate “Aktor” e ka patur të vështirë të sigurojë deri tani paratë e nevojshme për garancinë, cka ka shkaktuar vonesa në shlyerje. Një vonesë që ka sjellë një situatë jo fort të këndshme në prani të kryeministrit dhe ministrit të transporteve, gjatë inspektimit të tunelit.
Bumerangu i kontratave publike
Detyrimet e pashlyera për punët publike janë bërë një shqetësim jo i vogël për bizneset në Shqipëri.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pagesat e pashlyera ndaj bizneseve që kryejnë punë publike kanë arritur në 0.7 për qind e prodhimit kombëtar ose mbi 60 milionë euro.
Shqetësimi i FMN dhe ekspertëve është se këto detyrime mund të krijojnë një zinxhir të gjatë borxhesh me efekte negative në ekonomi për shkak se bizneset nuk do të jenë të afta të shlyejnë kreditë që kanë në banka.
Ndërsa bizneset ankohen për vonesën në pagesat për veprat publike nga ana e qeverisë, Ministria e Financave thotë se ajo i ka respektuar kontratat sipas projekteve të hartuara në cdo fillim viti.
Burime nga departamenti i thesarit thonë se detyrimet e papaguara lidhen me faktin se bizneset kryejnë më shumë punime nga sa u është përcaktuar në fondi vjetor.
Në fakt gjithë ky ngërc krijohet nga një vendim po i qeverisë i vitit 2009, i cili ndalon biznesin të marrë pjesë në tendera publik, pa përfunduar 70 përqind të punimeve të një kontrate që mund të kenë fituar më parë.
Në një vend ku kriza e ndërtimit vazhdon prej vitesh, kjo bën që shumë biznese të marrin para hua për të kryer punimet e projekteve në masën 70 përqind, që të mund të marrin pjesë në tenderat e ardhshëm.
Por meqënëse qeveria ka ulur ritmin e pagesave, shumë prej punimeve të kryera, sipas kësaj skeme, kanë ngelur të papaguara duke i vënë këto biznese në vështirësi financiare.
Top Channel