David Kameron dhe Angela Merkel u përpoqen të fshehin dallimet për zgjidhjen e krizës së euros gjatë takimit të tyre në Berlin.
Pikëpamjet e ndryshme për politikën europiane vecanërisht taksën e transaksionit, ndezën një luftë të vërtetë fjalësh mes politikanëve dhe medias në të dy vendet.
Kameron bëri thirrje për një veprim vendimtar për të stabilizuar eurozonën, ndërsa Merkel propozoi një qasje hap pas hapi.
“Britania ka një pikepamje të qartë se taksa e transaksionit financiar është padyshim e pranueshme. Kjo është dicka që bëhet bashkë. Rreziku që kemi besuar, është nxjerrja e transaksioneve në jurdiksione ku nuk mund të zbatohet. Prandaj një taksë globale është dicka e mirë”, tha Kryeministri britanik, David Kameron.
Përgjigjia e tij për të përdorur si zgjidhje, të ashtuquajturën “bazuka e madhe” për krizën ishte:
“Gjermanishtja ime nuk është aq e mire, mendoj se bazuka në këtë gjuhë do të thotë… armë e fundit, apo jo? Shikoni, pika që unë dhe kancelarja biem dakord, cfarëdo ta quani, është se duhet të marrim hapa decizivë për të stabilizuar Eurozonën. Kjo qëndron në gjërat që ne kemi folur, veprime vendimtare për Greqinë, një Fond të Stabilitetit Financiar për Europën si dhe rikapitalizimin e bankave”, shtoi Kameron.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ishte më e kujdeshme në deklaratën e saj. Ajo është nën presion për të ndërmarrë hapa të fortë kundër krizës, nga Banka Qëndrore Europiane si për shembulll të jetë huadhënësi i fundit për fondin e shpëtimit të Unionit, i ashtuquajturi Fondi i Stabilitetit Financiar të Europës.
Deri tani ajo i ka bërë qëndresë, me argumentin e Bundesbank se do të shkelë politikën e Bankës Qëndrore Europiane e përqëndruar te inflacioni.
Merkel është fokusuar tek ndryshimi i Traktatit të Lisbonës për të detyruar anëtarët e tjerë të Bashkimit Europian të adoptojnë disiplinën buxhetore të Gjermanisë. Kameron tha se kjo cështje u diskutua, po sikurse Gjermania edhe Britania ka interesat e veta”.
“Të dy vendet kanë shqetësime por marrëdheniet miqësore që na lidhën na bëjnë të themi se ne do të punojmë së bashku për një zgjidhje”, tha Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Përpara takimit me Merkel, Kameron bisedoi me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuj dhe presidentin e Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso në Bruksel. Takimet u zhvilluan në një kohë kur shqetësimet për krizën e borxhit po përhapen, në Francë apo Spanjë, ndërsa në Itali kostoja e huasë është më e lartë.
Top Channel