Deti i Kinës, SHBA vlerëson Pekinin

19/11/2011 16:15

Autoritetet amerikane kanë vlerësuar qëndrimin e Kinës lidhur me cështjen territoriale të Detit të Kinës ku janë përfshirë edhe vende të tjera të Azisë.

Vlerësimi u bë gjatë një takimi kokë më kokë mes kryeministrit kinez Wen Jiabao dhe presidentit amerikan Barack Obama, në Indonezi, ku po zhvillohet samiti mbi Azinë Lindore.

Një zyrtar amerikan e ka përshkruar përgjigjen e Kinës ndaj cështjes në fjalë si “konstruktive”. Takimi u bë pas një mosmarrëveshjeje mes Pekinit dhe Uashingtonit lidhur me cështjet e tregtisë, monedhës dhe të drejtave territoriale në Detin e Kinës.

Deti në fjalë përmban rezerva të mëdha gazi dhe nafte dhe është një rrugë e rëndësishme lundruese për transportin e mallrave nga Azia. Kina pretendon sovranitetin e saj të plotë mbi këtë det, ndërkohë që vende të tjera të Azisë juglindore pretendojnë gjithashtu pjesën e tyre.

Bisedimet mes dy palëve u mbajtën pas angazhimit të fundit të presidentit Obama për një vizitë 9-ditore në rajonin e Azisë. Ai është përqendruar tek rritja e influencës së Shteteve të Bashkuara në rajon, në një kohë kur Kina po rrit vazhdimisht fuqinë e saj.

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Tom Donilon tha se “takimi informal” mes zotit Obama dhe zotit Jiabao u përqendrua kryesisht tek cështjet ekonomike. Sipas tij, dy liderët diskutuan në vecanti cështjet e praktikave të biznesit dhe cështjen e kontrollit të valutës kineze.

Një ditë më parë qeveria kineze i kërkoi publikisht Shteteve të Bashkuara që të mos përziheshin në këtë cështje, e rëndësisë së vecantë për Pekinin. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë interesa në cështjen e Detit të Kinës, por ato duan vetëm që rrugët detare të mbeten të hapura”, deklaroi Donilon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA