BE, reduktohet rritja e buxhetit për 2012

19/11/2011 21:15

Bashkimi Evropian është detyruar të pranojë një rritje prej 2 për qind të buxhetit të tij vitin e ardhshëm, shumë më pak se rritja që kërkohej të ishte rreth 5 për qind.

Qeveri të ndryshme të vendeve anëtare kanë argumentuar se kërkesat nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni ishin “jorealiste” në një kohë masash të rrepta anti-krizë.

Negociatorët e BE arritën në vlerësimin prej 2 për qind pas 15 orë bisedimesh, që përfunduan në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Qeveria britanike deklaroi se rezultati i mbledhjes përbën një marrëveshje “të shkëlqyer” për Mbretërinë e Bashkuar.

“Ne kemi ndalur propozimet inflacioniste të Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe kemi implementuar premtimin e qeverisë për të ngrirë buxhetin e BE-së në afate reale”, deklaroi ministri britanik i Financave, Mark Hoban.

Komisioni kishte kërkuar një rritje të buxhetit prej 4.9 për qind, ndërsa Parlamenti 5.2 për qind.

“Përmes këtij procesi ne kemi arritur në përfundimin se, me vendet anëtare që po marrin vendime të rrepta për shkurtimin e shpenzimeve të brendshme, ne nuk mund të plotësojmë këto kërkesa jorealiste”, shtoi ministri Hoban.

Ai tha se vëmendja tani do të përqendrohet tek negociatat për buxhetin afatgjatë të BE-së, për periudhën 2014-2020, me Britaninë që do të ketë një kufizim të rritjes të buxhetit të saj.

Megjithatë, ka shqetësime se, ndërsa buxheti i vitit 2012 është kufizuar, angazhimi i BE për shkurtimin e shpenzimeve nuk është realizuar ashtu sic ishte rënë dakord.

Rritja me 2 për qind për vitin 2012 do të rrisë buxhetin në 129 miliardë euro, por qeveritë e vendeve anëtare i kërkuan Parlamentit Evropian që shpenzimet e Unionit të arrinin në 147 miliardë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA