Kina paralajmëroi të gjitha “forcat e treta”, një referim i qartë ndaj SHBA-së, që të mos përfshihen në mosmarrëveshjet mbi ndarjen e ujrave midis shteteve që kufizohen nga Deti i Kinës së Jugut.
Duke iu kundërpërgjigjur vizitës dhe deklaratave të Obamës në Australi, kryeministri Wen Jiabao, theksoi se “çështjet mund të zgjidhen vetëm nga vendet sovrane të përfshira në këto mosmarrëveshje”.
”Forcat e jashtme nuk duhet të përdorin asnjë justifikim për të ndërhyrë. Diskutimet për ndarjet e ujrave kanë shumë vite që zhvillohen midis shteteve të interesuara dhe çdo ndërhyrje do të rrezikonte diskutimet miqësore që janë zhvilluar dhe po zhvillohen ende”, deklaroi numri dy i politikës kineze.
Ditën e mërkurë, Obama aprovoi dërgimin e 2 500 marinasve në Australi, ndërsa mbrojti të drejtën legjitime të SHBA-së për t’u përfshirë në politikën e Azisë Perëndimore, si “fuqi paqësore” (e Oqeanit Paqësor).
Wen bëri deklaratat e tij gjatë një samiti rajonal në Bali, Indonezi, ku Obama ka konfirmuar gjithashtu prezencën e tij në ditët në vazhdim.
Deti i Kinës së Jugut përmban disa prej rrugëve më të rrahura ujore, ndërsa është i pasur edhe me rezerva nafte e gazi. Kina asnjëherë nuk ka rënë dakord për ndarjen aktuale të ujrave, duke pretenduar se i takon një pjesë më e madhe e detit, që kufizon Vietnamin, Malajzinë, Filipinet, Tajvanin dhe Brunein. Pekini ka mosmarrëveshje territoriale edhe me shtete të tjera, si Japonia për një varg ishujsh dhe me Taxhikistanin, në lindje të vendit.
Top Channel