Ulja e transfertës së pakushtëzuar për bashkinë e Durrësit, si dhe dificiti financiar në disa zëra për shkak të mosfunksionimit të KRRT-së dhe rënies së të ardhurave nga të tretët, do të cojë në një mosrealizim të investimeve të planifikuara në buxhetin e këtij viti për këtë qytet.
Gjatë një komunikimi të hapur me publikun, kryebashkiaku Vangjush Dako ka deklaruar se bllokimi prej afro një viti i veprimtarisë së KRRT-së së Durrësit i ka kushtuar buxhetit rreth 70 përqind më pak të ardhura që realizohen nga lejet për ndërtimet e reja dhe një përqindëshi i infrastrukturës.
Një rënie të ndjeshme në të ardhurat e bashkisë përgjatë këtij viti elektoral që ka diktuar dhe rrudhjen e të ardhurave ka pasur edhe nga të tretët, si ALUIZNI, hipoteka dhe taksa për regjistrimin e automjeteve.
Mbledhja e taksës së pasurisë gjithashtu nuk është realizuar, duke bërë që administrata bashkiake ta konsiderojë këtë një vit të vështirë ekonomik.
Buxheti 2011 u miratua në fund të muajit shtator, duke diktuar në këtë mënyrë dhe ecurinë në investimet publike dhe sezonin turistik.
Pjesa më e madhe e të ardhurave të buxhetit për këtë vit është drejtuar në infrastrukturën rrugore, shërbime sociale, pastrim urban dhe strehim social.
Top Channel