Arrorët, qeveria premton 290 milionë $

18/11/2011 08:45

Ministria e Bujqësisë prezantoi së fundmi studimin e vet mbi arrorët, duke argumentuar se ideja e Kryeministrit Berisha për mbjelljet në masë do të krijojë 290 milionë dollarë prodhim, 160 milionë dollarë eksporte dhe shumë vende pune.

Ministri Genc Ruli mbajti fjalimin prezantues, të pasqyruar në numrin e së premtes të gazetës “Shqip”, në një konferencë të posaçme të organizuar mbi idenë e Kryeministrit, ku bie në sy fakti që megashifra për mbjelljen e 250 milionë rrënjëve kaloi pa u përmendur.

“Vlerësohet se nga investimi disavjeçar në këtë sektor do të përfitojnë drejtpërsëdrejti rreth 43 mijë familje fermere dhe vetëm në sektorin e përpunimit do të krijohen rreth 900 vende pune,” – tha Ruli. “Vlera vjetore e prodhimit të këtyre kulturave (e llogaritur për 30 mijë ha të mbjella me to) llogaritet në 290 milion USD. Ndërsa të ardhurat vjetore nga eksporti i tyre pritet të jenë në nivelin e 160 milionë USD”, vijoi Ministri i Bujqësisë.

“Ndoshta Shqipëria ka në plan të pushtojë Siberinë për të mbjellë 250 milionë rrënjë sepse këtu nuk ka tokë të mjaftueshme për shifra të tilla”, komentoi nën zë një ekspert i bujqësisë i pyetur për zbatueshmërinë e idesë së kryeministrit.

Ruli i rezervoi një falënderim të veçantë kryeministrit Berisha për idenë si dhe tha se ky investim do të bazohet te investimet private, pa dhënë më shumë detaje se sa para nevojiten për të mbjellë 250 milionë rrënjë dhe se çfarë avantazhi mund të ketë Shqipëria në këtë fushë në krahasim me të gjitha vendet e tjera të botës.

“Z. Kryeministër, ju ishit personalisht nismëtari dhe nxitësi i ndërmarrjes së këtij programi të madh. Ju keni qenë dhe mbështetësi kryesor i tij, çka ka qenë një ndihmë e madhe për ne. Gjej rastin që, në emër tim si dhe në emër të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve t”iu falënderoj, Z. Kryeministër,” tha Ruli.

Shqipëria ka aktualisht 10 milionë rrënjë drufrutorë, 6.2 milionë rrënjë ullinj dhe 760 mijë rrënjë agrume. Arrorët janë gjithsej 272 mijë të përqendruara në zonat malore, Kukës, Dibër dhe Elbasan.

Prodhimi i arrorëve për vitin 2010 qe 4 mijë tonë. Nga shifra aktuale prej 272 mijësh deri në 250 milionëshin e kryeministrit, ka një distancë të gjatë, por përderisa Berisha është optimist, të tillë janë edhe ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë.

“Realizimi disavjeçar i projektit të arrorëve do të jetë njëkohësisht një nga investimet më të mëdha financiarë të kryera deri më sot në bujqësinë shqiptare, i përballuar si nga investimet private, ashtu edhe ata publikë. Do të jetë një demonstrim i suksesshëm i partneritetit publik e privat. Por do të jetë dhe një nga investimet më produktivë e fitimprurës, i konkretizuar jo vetëm në rritjen e nivelit mesatar të të ardhurave të fermës bujqësore apo në zgjatjen e zinxhirit të punësimit në Shqipërinë rurale, por mbi të gjitha edhe në realizimin e ëndrrës realiste të Shqipërisë së gjelbërt”, – tha Ruli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA