“Big Blue”, superbomba amerikane

18/11/2011 22:35

Një javë pasi Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, ANEA publikoi raportin për programet bërthamore,  publikohet lajmi i SuperBombës amerikane, apo të koduar si “Big Blue”.

Ajo mund te shkatërroje bunkere dhe vendstrehime të nëndheshme, sic janë ndërtuar në Korenë e Veriut apo Iran, në mbrojtje të impianteve bërthamore. “Big Blue”,  6.2 metra e gjatë, me një mbushje prej 2.4 tonë eksplozivë është pjesë e arsenalit të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Aviacioni amerikan ka porositur 20 bomba të tilla, me një kosto prej 314 milionë dollarë, të cilat do të mbahen nga avionët bombardues B-52 apo nga më modernet B-2.

E zhvilluar nga Boing, bomba është dhjetë herë më e fortë nga versioni i mëparshëm. Pasi lëshohet mbi shënjestrën shkatërron edhe ata bunker të ndërtuar, dhjetëra metra nëntokë.

Gjenerali amerikan Skot Vander Ham tha se nuk ka armë tjetër si kjo. Për disa vëzhgues, “Big Blue” paraqet një mesazh paralajmërimi për Teheranin, fill pas publikimit të raportit të ANEA-s.

Mediat ndërkombëtare flasin se Shtetet e Bashkuara i kanë shitur Izraelit 55 bomba GBU 28 për bunkerët, që nuk krahasohen me superarmën, por shumë efikase.

Duke iu referuar shtypit amerikan, Shtëpia e Bardhë mendon t’i japin bomba speciale edhe Emirateve të Bashkuara. Cështja e bunkereve në Iran dhe Korenë e Veriut mbetet një temë e nxehtë.

Koreano-veriorët janë ndër më të aftët në realizimin e tyre, madje kanë eksportuar teknika edhe në Birmani dhe Siri, dy vende që dyshohet se po bëjnë kërkime për armët jo-konvencionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA