Vatikani, ndjekje ligjore ndaj “Benetton”-it

17/11/2011 00:00

Pavarësisht se Benetton tërhoqi foton e Papa Benediktit XVI duke puthur imamin e Egjiptit, Ahmed El Tajeb i xhamisë Al Azhar në Kajro, pjesë e një reklame botërore kundër urrejtjes, Vatikani vendosi të ndërmarrë hapa ligjore kundër kompanisë së veshjeve.

Përmes një deklarate, Selia e Shenjtë u kërkoi avokatëve të saj të bëjnë të gjitha përpjekjet ligjore për të ndaluar përdorimin e fotos madje edhe në media.  

Nuk është ende e qartë nëse Vatikani do të padisë Beneton. Nëse mund të bësh një kliklim në Internet, fotomontazhi i puthjes së Atit të Shenjtë dhe Imamit të Egjiptit vazhdon të qarkullojë në shumë faqe online.

Në reagimin e parë, të mërkurën, zëdhënësi i Vatikanit Frederiko Lombardi u shpreh: “Fotoja dëshmon mungesën e thellë të respektit për Papën, një ofendim të ndjenjave të besimtarëve, një demostrim të qartë se si reklama mund të shkelë rregullat e respektit për njerëzit duke tërhequr vëmendjen përmes provokimit”.

Mahmud Azab, zëdhënësi i Institutit “Al Azhar”, në Egjipt e përshkroi reklamën të papërgjegjshme dhe absurde.

Të mërkuren, kompania e veshjeve publikoi fushatën e saj publicitare kundër urrejtjes, e afishuar në shumë prej dyqaneve të saj, thuajse në të gjithë botën.

Mes fotove ishte ajo e presidentit amerikan Barak Obama i cili puthej me presidentin kinez, Hu Xhintao, apo atë të Venezuelës, Ugo Caves.

Nuk është hera e parë që kompania Beneton shokon me reklamat e saj, le të kujtojmë atë të burgosurve të dënuar me vdekje, puthjen e një prifti me një murgeshë, apo vdekjen e një burri nga SIDA.

Top Channel