“Tentativë vrasje të Obamës” për Hernandez

17/11/2011 21:25

Personi i dyshuar se shkrepi armën në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, mund të akuzohet me tentativë për vrasjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ose të një zyrtari tjetër të lartë në Uashington.

Sipas CNN, kjo do të jetë padia e ngritur nga hetuesit amerikanë kundër Oscar Ortega Hernandez. Ai dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Shtëpisë së Bardhë të premten e shkuar. 21-vjecari Oscar Ortega Hernandez beson sipas autoriteteve, se Zoti i ka dhënë atij një mision personal, të sulmojë Shtëpinë e Bardhë.

Një buletin i lëshuar nga policia amerikane thotë se 21-vjecari në momentin e arrestimit tregonte shenja paqëndrueshmërie mendore dhe prirje dhune.
Të shtëna u dëgjuan mbrëmjen e së premtes në hapësirën mes Shtëpisë së Bardhë dhe Monumentit të Uashingtonit.

Policia zbuloi më vonë një makinë të braktisur me një pushkë brenda, ndërsa dy plumba u gjetën të martën në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku ndodhet dhe dhoma e gjumit e presidentit.

Një nga plumbat kaloi xhamin e parë të dritares, por u ndal nga paneli anti-plumb i xhamit të dytë. Ndërsa plumbi tjetër goditi pjesën e jashtme të ndërtesës.

Presidenti dhe zonja e parë nuk ndodheshin në Uashington në atë moment, ndërkohë që nuk dihet nëse atje ishin dy vajzat e tyre, Sasha dhe Malia.

Krerët e shërbimeve sekrete deklaruan për gazetarët se plumbat nuk janë lidhur ende përfundimisht me të shtënat e së premtes.

Me origjinë nga shteti amerikan i Idahos, Hernandez ishte shpallur person i humbur nga familja e tij më 31 tetor. Mendohet se që prej atëherë ai ka jetuar në Uashington.

21-vjecari ka një dosje të pasur me arrestime, të kryera në Teksas, Jutah dhe Idaho, por policia ka deklaruar se nuk rezulton i lidhur me ndonjë organizatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA