Pavarësisht ngjarjeve dramatike të Pranverës Arabe, administrata amerikane premton vazhdimësinë e angazhimit në Ballkan. Duke folur në nën/komisionin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqesuesve për Europën dhe Euroazinë, ndihmës-Sekretari i Shtetit, Filip Gordon ndaloi tek të gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqiperinë.
Duke pranuar miratimin e shpejtë të reformave të nevojshme në Shqipëri për të fituar pranimin në NATO në vitin 2009 dhe kontributin ne Afganistan, me më shume së 300 ushtarë, në kuadër të ISAF-it, Gordon nënvizoi se: “Shtetet e Bashkuara janë të shqetesuara në lidhje me ngërcin e stërzgjatur politik në parlament, i cili nuk ka mundur te miratojë ligjet e reformës të përcaktuar nga BE-ja sit ë detyrueshme për të marrë statusin e vendit kandidat”.
Filip Gordon e cilësoi inkurajues faktin e kthimit të opozitës në parlament, pas procesit të zgjatur për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë.
“E kemi nxitur qeverinë të miratojë rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së për reformë, si edhe të bëjë përpjekje realiste dhe të prekshme për të përfshirë opozitën dhe për të pranuar kompromisin si pjesë e procesit politik. Në të njëjtën kohë, kemi nxitur opozitën të jetë e përgjegjshme dhe e gatshme – gjë e cila, në një demokraci të pjekur, kërkon pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament”.
Filip Gordon apelon që drejtuesit politikë në Shqipëri të kapërcejnë grindjet vetjake dhe të bëjnë përparim konkret me programin e reformës ose përndryshe do të rrezikojnë të humbasin hovin e mëtejshëm.
Ndihmes-Sekretari i Shtetit, Gordon, shtoi se Shtetet e Bashkuara janë kundër ndryshimit të kufijve në rajon, duke e quajtur ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve një zgjidhje të papranueshme.
Top Channel