
Personi i dyshuar se qëlloi me armë zjarri ndaj Shtëpisë së Bardhë ditën
e premte është obsesionuar me presidentin Barack Obama.
21-vjecari Oscar Ortega Hernandez, tashmë i arrestuar, beson sipas autoriteteve, se Zoti i ka dhënë atij një mision personal, të sulmojë Shtëpinë e Bardhë.
Një buletin i lëshuar nga policia amerikane thotë se 21-vjecari në momentin e arrestimit tregonte shenja paqëndrueshmërie mendore dhe prirje dhune.
Ai është planifikuar të paraqitet në gjyq, në Pitsburg të Pensilvanisë, më vonë gjatë ditës së enjte. Hernandez u arrestua në këtë shtet ditën e mërkurë, pasi autoritetet ishin informuar nga dikush që e kishte njohur.
Të shtëna u dëgjuan mbrëmjen e së premtes në hapësirën mes Shtëpisë së Bardhë dhe Monumentit të Uashingtonit.
Policia zbuloi më vonë një makinë të braktisur me një pushkë brenda, ndërsa dy plumba u gjetën të martën në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku ndodhet dhe dhoma e gjumit e presidentit.
Një nga plumbat kaloi xhamin e parë të dritares, por u ndal nga paneli anti-plumb i xhamit të dytë. Ndërsa plumbi tjetër goditi pjesën e jashtme të ndërtesës.
Presidenti dhe zonja e parë nuk ndodheshin në Uashington në atë moment, ndërkohë që nuk dihet nëse atje ishin dy vajzat e tyre, Sasha dhe Malia.
Krerët e shërbimeve sekrete deklaruan për gazetarët se plumbat nuk janë lidhur ende përfundimisht me të shtënat e së premtes.
Me origjinë nga shteti amerikan i Idahos, Hernandez ishte shpallur person i humbur nga familja e tij më 31 tetor. Mendohet se që prej atëherë ai ka jetuar në Uashington.
21-vjecari ka një dosje të pasur me arrestime, të kryera në Teksas, Jutah dhe Idaho, por policia ka deklaruar se nuk rezulton i lidhur me ndonjë organizatë.
Top Channel