Rritet referenca doganore për automjetet

16/11/2011 08:00

Kur kanë kaluar gati tre muaj nga zbatimi i ligjit të ri për importin e mjeteve të transportit të përdorura, Ministria e Financave lëshon papritur një udhëzim që rrit taksat në doganë.

Praktika e re përjashtonte nga taksat makinat e prodhuara të tre viteve të fundit, ndërsa për kategoritë e tjera do të aplikoheshin tarifa më të reduktuara, në bazë të koeficientëve, të cilët paguhen një herë në vit.

Heqja e doganës për mjetet e transportit nuk do të thotë mospagimin e taksës së TVSH, e cila aplikohej mbi vlerën e mjetit. Për të vërtetuar vlerën, drejtuesit e makinës paraqesin faturat, sa për procedurë, pasi dogana zbaton skemën e saj të referencës. Për të vërtetuar vlerën e saktë të mjetit, dogana përdor disa burime, por më kryesori është revista “Quattroroute”, e cila azhurnon çmimet e makinave sipas vitit të prodhimit, llojit të karburantit dhe fuqisë motorike. Me ligjin aktual, dogana nuk pranonte vlera të mjeteve më poshtë se 70 për qind nga sa përcaktonte revista, kurse me propozimin e fundit të ministrit të Financave, tashmë kufiri rritet në 80 për qind. Pra, askush nuk mund të pretendojë të importojë një makinë me vlerë/çmim më pak se 80 për qind nga sa thuhet në listën referencë të doganave.
Ky detyrim vlen edhe për ato mjete transporti që nuk janë të listuara në revistën “Quattroroute”.

Për hartimin e këtyre ndryshimeve, ministri kishte ngritur një grup pune ad-hoc, për të vlerësuar gjendjen e tregut. Natyrshëm që rritja e marzhit të referencës ndikon negativisht te taksa që do të paguajë drejtuesi i mjetit, ndërsa qeveria i rrit edhe më shumë të ardhurat në buxhet.

Pas zbatimit të ligjit, në ditët e para të muajit shtator u regjistruan importe të konsiderueshme të mjeteve, gati 100 copë në ditë, ndërsa shteti po rriste të ardhurat. Sipas përllogaritjeve të bëra nga ministria, për vitin 2012 parashikohen rreth 100 milionë dollarë të ardhura nga taksat e reja për makinat.

Formula e re për llogaritjen e detyrimit bazohet te viti i prodhimit me koeficient 0.18 dhe që rritet çdo vit me 0.01, dhe te fuqia motorike. Tjetër taksë që do paguhet është tarifa e re për karburantet, si për naftën ashtu dhe për benzinën, e cila sot është zero lek, por në shtator pritet të bëhet 5 lekë për litër, pra fikse dhe në janar të 2012-s do të bëhet 7 lekë për litër.
Më konkretisht, efekti në buxhetin e shtetit nga taksa e re e qarkullimit për katër muajt e fundit të vitit 2011 pritet të jetë rreth 1.2 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2012 rreth 4.9 miliardë lekë.

Sa i takon taksës për përdorimin e mjeteve të përdorura, për të cilat nuk paguhet më doganë, efektet në buxhet pritet të jenë më të mëdha. Ministria e Financave ka bërë disa përllogaritje, duke u bazuar te të dhënat e Drejtorisë së Transportit Rrugor. Kështu, rezulton se formula e taksës vjetore të mjeteve të përdorura do të jetë përafërsisht 4.1 miliardë lekë në total, nga të cilat 5 për qind shkojnë si komision për DPSHTRR, 10 për qind për buxhetin e qeverisjes vendore dhe pjesa tjetër, prej 3.1 miliardë lekësh derdhen në buxhetin e shtetit. Duke i marrë së bashku të gjitha detyrimet, efekti për të gjithë 400 mijë drejtuesit e automjeteve është rreth 9 miliardë lekë, ose rreth 100 milionë dollarë për vitin 2012.

Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, autoveturat zënë rreth 70 për qind të totalit të mjeteve, dhe mbi 75 për qind e autoveturave janë mbi 10 vjet të vjetra. Nga përllogaritjet del se, nga 280 mijë makina që qarkullojnë sot në Shqipëri, 210 mijë prej tyre janë mbi 10 vjet të përdorura. Ministria thotë se për këtë arsye, propozohet që koeficienti sipas vjetërsisë të rritet me 0.04 për çdo vit përdorimi, pas vitit të 10 të përdorimit.

Për vitin 2012 parashikohen rreth 100 milionë dollarë të ardhura nga taksat e reja për makinat

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA