Portugalia i “shtrin dorën” Angolës

16/11/2011 20:15

Kryeministri i Portugalisë, Carlos Maria Feijo, do të mbërrijë ditën e enjte në Angola, për të mbajtur bisedime të rëndësishme për nxitjen e rritjes që mund të kenë investimet e vendit afrikan në ekonominë portugeze.

E pasur me naftë dhe minerale, Angola pritet të rritet me 12% deri në fund të vitit, ndërsa Lisbona zyrtare është e detyruar të nxjerrë në shitje ose me koncension pasuritë e saja shtetërore, për të fituar një hua të madhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. E përballur me defiçitin e lartë buxhetor, Lisbona duhet të bëjë llogaritë me një rënie prej 2,8% të ekonomisë vetëm në 2011-n.

Investimet e Angolës në vendin që dikur e kolonizoi janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit, në nga 2,1 milion dollarë në vitin 2002, në 156 milionë në 2009-n. Kompanitë angoleze zotërojnë mesatarisht 4% të aksioneve të kompanive të listuara në bursën e Lisbonës, midis të cilave disa banka të rëndësishme, firma energjitike dhe të telekomunikacioneve.

Aktualisht, njëri prej vendeve me rritjen më të madhe në botë, Angola është partneri i katërt më i rëndësishëm tregtar i Portugalisë, por i pari jashtë Bashkimit Europian.

FMN-ja ka rënë dakord që t’i akordojë Lisbonës një kredi prej 107 miliardë dollarësh, me kusht që të aprovohen reforma të mëdha ekonomike, privatizime dhe një program masash shtrënguese kursimi.

Angola, një vend i Afrikës Perëndimore, me 20 milion banorë dhe të ardhura të krahasueshme për frymë me vendin tonë, fitoi pavarësinë nga Portugalia në vitin 1975.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA