Plumba ndaj Shtëpisë së Bardhë

16/11/2011 15:30

Dy plumba janë gjetur në dritaret e Shtëpisë së Bardhë, lajmëruan ditën e mërkurë Shërbimet Sekrete Amerikane.

Hetimet kishin nisur pasi një xham ishte thyer. Njëri prej plumbave kishte mbetur në xhamin e dytë mbrojtës, ndërsa tjetri kishte arritur të depërtonte deri në mjediset e brendshme.

Një 21-vjeçar me origjinë latine, Oscar Ramiro Ortega, dyshohet se është përgjegjësi i të shtënave. Ai është vendosur menjëherë në listën e të shumëkërkuarve në vend.

”Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa siguria në perimetrin rreth Shtëpisë së Bardhë do të shtohet”, deklaroi zyra e shtypit të Shërbimeve Sekrete.

Të dy plumbat u gjetën ditën e martë. Besohet se ato janë qëlluar që nga monumenti i Uashingtonit, i ndodhur përballë selisë presidenciale, rreth orës 21:30 të ditës së premte.

Dëshmitarë deklaruan se dëgjuan krismat dhe sekonda më pas, dy makina që po largoheshin me shpejtësi. Një armë kallashnikov u rikuperua në vendngjarje. Është ende e paqartë nëse ky ishte një atentat ndaj presidentit Obama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA