“Emigrantët janë limfa jetëprurëse për të cilën Italia ka shumë nevojë”.
Kështu u shpreh gjatë një fjalimi të mbajtur sot me një grup të rinjsh emigrantë, Presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano.
Kreu i shtetit, i njohur për qëndrimin e tij të hapur ndaj emigracionit në Itali, theksoi se duhet reflektuar për një reformë të mundshme në ligjin për dhënien e shtetësisë italiane dhe përsëriti dhe një herë se fëmijet e emigrantëve janë italianë në jetën e përditshme, në ndjenjat dhe identitetin e tyre.
Një ide kjo e hedhur edhe nga kryetari i Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini, i cili është njëkohësisht një prej hartuesve të ligjit më të rreptë të emigracionit, aktualisht ende në fuqi.
Sot Fini ndodhej i ulur në radhë të parë, mes emigrantëve. Presidenti Napolitano, i cili këto ditë ka qenë i angazhuar në zgjidhjen e krizës politike në vend, kujtoi rëndësinë e emigrantëve në këtë periudhë vështirësish ekonomike.
“Pa kontributin e tyre në ekonominë tonë, është më e vështirë të përballohet edhe barra e borxhit publik. Të mos kuptosh prurjet e dukurisë së emigracionit dhe kontributin e tyre të nevojshëm për vendin do të thotë të mos dish të shohësh realitetin”, përfundoi kryetari i shtetit italian.
Top Channel