Karzai: Me SHBA, pakt me kushte

16/11/2011 18:05

Presidenti afgan Hamid Karzai ka deklaruar në një takim me liderët tribalë të vendit se një pakt sigurie me Shtetet e Bashkuara është në interesin më të mirë të dy vendeve.

Ai ka mbajtur fjalimin para mbledhjes në kryeqytetin Kabul, nën masa të rrepta sigurie. Presidenti tha se cdo marrëveshje me SHBA mund të funksionojë vetëm nëse respektohet sovraniteti i Afganistanit.

Talebanët kishin kërcënuar se do të sulmonin takimin, Ata kishin deklaruar se kushdo që do të merrte pjesë në të do të ishte në shënjestër.

Ditën e hënë, talebanët thanë se kishin siguruar një dokument konfidencial të qeverisë mbi planin e sigurisë për mbledhjen, e njohur si “loya jirga” me gjuhën lokale.

Në të njëjtën ditë, një atentator vetëvrasës u qëllua për vdekje teksa përpiqej të kryente një sulm ndaj një kompleksi tendash në Kabul, ku do të mblidheshin rreth 2 mijë vetë.

Presidenti Karzai u tha krerëve tribalë të mbledhur të mërkurën se afganët dëshirojnë që marrëdhënia me SHBA të ngrihet në bazën e dy shteteve të pavarura.

“Ne dëshirojmë të kemi një partneritet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, por në bazë të disa kushteve”, u shpreh ai.

Presidenti shtoi më tej se dëshiron që të marrin fund sulmet e orëve të natës, një taktikë e trupave të NATO-s që bastisin shtëpitë e civilëve nën dyshimin se strehojnë rebelë apo persona të kërkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA