Kriza e fundit ekonomike që ka mbërthyer botën ka sjellë rënien e besimit të shqiptarëve te demokracia, ndërkohë që ne rezultojmë populli më sipërmarrës në Lindje, megjithëse norma e suksesit të sipërmarrësve shqiptarë është më e ulët se ajo e Europës Perëndimore.
Këto janë konkluzionet e një raporti të thelluar mbi tranzicionin në botën ish-komuniste, përgatitur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Njerëzit e mbështetën më pak demokracinë në rastet kur kriza e fundit i goditi ata më shumë në krahasim me krizat e të kaluarës”, – thotë raporti.
Mbështetja për demokracinë mes shqiptarëve ra nga rreth 70 për qind që qe në vitin 2006, në 57 për qind në vitin 2010. Mesatarisht në Europën Perëndimore, afro 80 për qind e popullatës e mbështesin demokracinë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mbështetjen për tregun e lirë. Mbi 70 për qind e shqiptarëve mbështesnin tregun e lirë në vitin 2006, në krahasim me më pak se 50 për qind në vitin 2010. Shqiptarët rezultojnë gjithsesi mbështetësit më të mëdhenj të demokracisë në vendet ish-komuniste në Europë e Azi, ndërsa ne rezulton se mbështesim tregun e lirë më shumë se sa popujt e Europës Perëndimore.
“Përfundimet e raportit sugjerojnë se tregjet dhe demokracia kishin më pak mbështetje në vendet në tranzicion më të avancuar, sepse ato pësuan rënie më të madhe në këtë krizë sesa në krizat e mëparshme në fillimet dhe mesin e viteve 1990. Si krahasim, kriza e fundit ishte përgjithësisht më e vogël në shtetet e CIS (Shtetet e Pavarura të Komonuelthit), sesa rënia e prodhimit që pasoi rrëzimin e komunizmit”, – thotë BERZH.
“Gjithashtu, raporti zbulon të dhëna bindëse që sugjerojnë se kriza i bëri njerëzit të ‘dalin kundër asaj çfarë kishin’. Ata që jetonin në shoqëri të drejtuara më së shumti nga tregu dhe demokracia dhe ishin ndikuar nga kriza, kishin më pak të ngjarë të zgjidhnin demokracinë dhe tregjet në krahasim me sistemet e tjera”, – vijon më tej BERZH.
Studimi bazohet në rezultatet e një vrojtimi të kryer nga BERZH në të gjitha vendet e botës post-komuniste.
Raporti vëren se rënia e remitancave qe rruga kryesore e transferimit të krizës në Shqipëri, ku duken shumë pasoja sociale të shkaktuara nga kriza si rënie e konsumit nga popullata, por nuk ka dallime të mëdha te treguesi i papunësisë.
Shqiptarët sipërmarrës
Shqiptarët rezultuan populli me numrin më të madh të përpjekjeve për të ndërtuar një biznes dhe numrin më të madh të bizneseve të suksesshme mes atyre që u përpoqën. Në të gjithë botën ish-komuniste, vetëm Mongolia rezulton me më shumë iniciativa për biznes se sa shqiptarët. Megjithatë, përqindja e popullatës që tenton të ndërtojë një biznes në botën post-komuniste është më e vogël se ajo në Europën Perëndimore.
Gjithsej, 14 për qind e shqiptarëve qenë të suksesshëm në krijimin e një sipërmarrjeje të re dhe shumica e tyre rezultojnë të suksesshëm.
Sipërmarrës nga halli
Ka shumë hipoteza se çfarë e bën një popull sipërmarrës më shumë se një popull tjetër, por në rastin e Shqipërisë, duket se sipërmarrja është nxitur më shumë nga mungesa e punësimit në sektorin modern, gjë që i shtyn njerëzit të nisin një aktivitet ekonomik si mënyrë për vetëpunësim. Në vendet e varfra është e zakonshme që njerëzit të nisin një tregti të vogël, të blejnë një makinë për të shërbyer si taksi apo të ofrojnë shërbime të ndryshme si rrobaqepës, hidraulik apo elektricist. Ndonëse të gjithë këta njerëz kategorizohen si sipërmarrës të vetëpunësuar, ky tregues nuk shpreh ndonjë mirëqenie të lartë. Raporti vëren se sa më i lartë të jetë numri i njerëzve që i hyjnë aventurës për biznes, aq më e lartë është edhe mundësia për të pasur sukses. Por dallohet gjithashtu që në vendet e varfra, nismat sipërmarrëse janë më të larta se sa në vendet relativisht të pasura të Lindjes. Por shkaqe të tjera lidhen me demografinë, nivelin e liberalizimit të ekonomisë etj.
Ndërkohë, shumë njerëz dëshirojnë të hyjnë në aventurën e biznesit, por pengohen nga shkaqe të ndryshme. Mungesa e kapitalit fillestar qe shkaku dërrmues për mosnisjen e aventurës për biznes, por në rastin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnjës, një arsye tjetër e rëndësishme rezulton të jetë mbajtja e tregut me dhunë. Mes shqiptarëve që dëshirojnë të hapin një biznes, por nuk kanë mundësi, sipas BERZH-it rezulton se 55 për qind e tyre nuk kanë mjete financiare, por rreth 15 për qind thonë se tentativat e tyre për sipërmarrje janë ndalur nga kërcënimet e bëra nga konkurrentët. Shqipëria rezulton një nga vendet ku kërcënimi shfaqet në nivel shumë të lartë si pengesë.
Top Channel