Rishfaqet kongresistja Gabrielle Giffords

15/11/2011 17:00

Kongresistja amerikane e Arizonës, Gabrielle Giffords, e cila u qëllua me armë zjarri në kokë në një sulm në janar të këtij viti, bëri daljen e saj të parë në një intervistë televizive.

Giffords pas atentatit, që la 6 persona të vrarë dhe 12 të plagosur në total, i është nënshtruar disa operacioneve kirurgjike. Kongresistja, megjithëse kuptonte mjaft mirë pyetjet e moderators së televizionit ABC, kishte vështirësi në artikulimin e përgjigjes. Shkak për këtë, sipas mjekëve të saj është dëmtimi i rëndë që ka marrë në tru nga plumbi.

Pyetjes se si ishte ndjerë në momentin kur bashkëshorti i kishte treguar se c’kishte ngjarë, Giffords mundi t’i përgjigjej vetëm më dy fjalë:

“E trishtuar, keq. Shumë njerëz vdiqen”, shqiptoi ajo me vështirësi duke lënë të kuptohej më pas se nuk ndjente urrejtje për agresorin 23 vjecar, Jared Loughner.

Megjithëse ende nuk është riaftësuar plotësisht, mjekët e Giffords thonë se ajo ka bërë një përparim mbresëlënës që prej operacionit pas atentat të janarit.

Gabrielle Giffords, anëtare demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, u qëllua me armë gjatë një takimi elektoral në Tukson të Arizonës. Si pasojë e të shtënave, 6 persona gjetën vdekjen, mes të cilëve edhe një gjyqtar federal dhe 12 të tjerë u plagosën.

Atentatori, Jared Loghner u arrestua pak kohë më vonë. Aktualisht ai mbahet në një qendër të trajtimit mendor dhe vitin tjetër pritet të merret nëse ai është i përgjegjshëm për të dalë para një gjykate.

Top Channel