Policia në Nju Jork ka ndërmarrë një operacion për të pastruar kampin e ngritur nga aktivistët e lëvizjes Pushtoni Wall Street, në Parkun Zukoti.
Zyra e kryetarit të bashkisë së qytetit njoftoi në Twitter se protestuesit duhet të largohen përkohësisht dhe të heqin tendat, por do të mund të kthehen sapo parku të jetë pastruar.
Lëvizja Pushtoni Wall Street u formua në shtator për të protestuar kundër pabarazisë ekonomike dhe ka frymëzuar protesta të ngjashme në mbarë botën.
“New York Times” deklaroi se, teksa policia filloi pastrimin e Parkut Zukoti, një oficer tha se: “Qyteti ka vendosur se pushtimi i parkut përbën një rrezik për shëndetin dhe sigurinë nga zjarri”.
Aktivistëve iu tha që të lëviznin menjëherë të gjitha pronat private dhe se do të arrestoheshin në rast se do të ndërhynin kundër operacionit.
Por një gjë e tillë ndodhi dhe për rrjedhojë, forcat e rendit reaguan duke arrestuar 16 të indinjuar, pjesa tjetër e të cilëve u largua në mënyrë paqësore.
Gjatë aksionit u shpërndanë gjithashtu fletëpalosje në të cilat thuhej se protestuesit do të lejohen të kthehen sapo të kenë përfunduar pastrimet.
Në një transmetim live në internet, protestuesit u shfaqën të bashkuar teksa këndonin në kor: “Cdo natë e cdo ditë pushtoni Wall Street”.
Autoritetet e Mollës së Madhe dhe kryetari i bashkisë Michael Bloomberg kanë qenë nën persion nga biznesmenët lokalë për të hequr kampin, teksa bëhen pothuajse 2 muaj nga ngritja e tij.
Ndërkohë, në Okland të kalifornisë, ku në fillm të muajit u regjistruan protestat më të dhunshme të të indinjuarve, një kamp cadrash u pastrua të hënën nga policia.
Top Channel