Kostoja e huamarrjes së Italisë është rritur përtej kufirit të rrezikshëm të 7%. duke e vendosur kryeministrin e sapozgjedhur, Mario Monti, nën një presion të madh ndërkombëtar.
Bonot e thesarit të Italisë kanë arritur normën rekord prej 7,48%, tregues i qartë i nervozizmit të tregjeve botërore mbi borxhet italiane.
Ndërkohë, Monti u takua me liderin e Partisë Demokratike, Pier Luigi Bersani, për të biseduar rreth formimit të kabinetit teknik dhe planeve të qeverisë për të dalë nga kriza ekonomike. Takime janë parashikuar gjatë javës edhe me liderin e Partisë së Lirisë, Silvio Berlusconi.
Monti, një ish-Komisioner i Konkurrencës në Bashkimin Europian, është shprehur se do të veprojë me “urgjencë” për të korrigjuar problemet e vendit të tij, edhe pse ka bërë të qartë që do të duhet kohë për të zgjidhur të gjitha problemet.
Qëllimi i Romës zyrtare është të nisë të reduktojë borxhin prej 120% të PBB-së, duke nisur nga viti i ardhshëm. Sipas planit të miratuar mbi reformat, do të kursehen 60 miliardë euro në tre vitet e ardhshëm nga shkurtimi i investimeve dhe rritja e taksave.
Për momentin, Greqia, Irlanda dhe Portugalia paguajnë gjithashtu një normë më të lartë interesi se 7% për huatë e marra. Duke iu referuar Italisë, borxhet kryesore të së cilës janë marrë në bankat gjermane dhe franceze, një zyrtar i lartë i qeverisë së Parisit shkruante: “Po e ndjekim me shumë vëmendje situatën italiane dhe duam që të ndihmojmë, por nuk do të ketë më falje borxhesh si në rastin grek, pasi edhe në këtë rast bankat bënë një sakrificë të madhe”.
Top Channel