A duhet të ketë gjini letërsia?

14/11/2011 19:20

Një ditë pas mbylljes së Panairit të Librit në Tiranë, shkrimtare dhe botuese diskutuan në emisionin e Pasdites në “Top Channel” për tendencat e fundit të letërsisë dhe për atë që është quajtur si “letërsia” për gratë.

Steriotipe të Danielle Steel, seriale si “Sex and City” dhe “Metropolitan Life”, janë kritikuar ashpër si një letërsi pa vlera. Shkrimtarja Diana Çuli, botuesja Flutura Açka dhe drejtoresha e “Mapo Madamme”, Iva Tiço, debatuan mbi këtë fenomen.

“Është e vërtetë që shkrimtarët meshkuj janë më të preferuarit dhe më të lexuarit. Në panair, Orhan Pamuk, Haruki Morakani, Michel Hulbek apo Amosos ishin shkrimtarët e huaj me veprat më të shitura. Megjithatë, ka edhe një rigjallërim të letërsisë femërore, me Oris Lesing që ka nisur të lexohet së bashku me disa autore të tjera”, thotë Açka, si një njohëse e mirë e tregut.

Duke u përqendruar tek ajo që duhet “chick-list”, apo letërsia e shkruar vetëm për femra, Diana Çuli përligj ekzistencën e kësaj gjinie të letrave. “Është si bota e filmave. Dikush mund të zgjedhë të shikojë një telenovelë, ndërsa të tjerë një kryevepër botërore të Spilberg apo ndonjë regjizori tjetër të madh. Megjithatë, nuk jam pro ndarjes së shkrimtarëve në meshkuj dhe femra. Ka shkrimtarë që shkruajnë mirë dhe të tjerë që shkruajnë keq”, shtoi autorja e njohur shqiptare.

Për Tiçon, është edhe më e thjeshtë të bësh një dallim. “Ka shumë meshkuj që ironizojnë femrat për leximin e librave të tillë të ashtuquajtur të lehtë. Shumica janë ata që nuk lexojnë fare. Mendoj se është gjithmonë më mirë të lexosh një vepër të çfarëdoshme, se sa të mos lexosh fare”.

Ndonëse Danielle Steel është konsideruar gjerësisht si një autore “best-seller”, për Çulin, publiku shqiptarë vazhdon të mbetet ende i distancuar nga letësia “limonatë”. “Kisha mundësinë që të shikoja se ku shkonin njerëzit gjatë panairit dhe firmosjes së librave të mi dhe ju garantoj se shumica shkonin tek emrat e njohur dhe lexonin edhe jetëshkrimin e autorit në fund, e blinin vetëm pasi bindeshin që ishte zgjedhja e duhur. Mendoj se librat “e vërtetë” vazhdojnë të tërheqin më shumë publikun”, dëshmoi shkrimtarja.

E megjithatë, për një femër, mbetet veçanërisht e vështirë të shkruajë në vendin tonë. Në lidhje direkte, për këtë dëshmoi shkrimtarja Brunilda Zllami: “Në çdo drejtim të jetës shqiptare ekzistojnë diskriminime për femrat dhe në letërsi nuk është ndryshe. Fati im është që kam patur mbështetjen e familjes dhe dy shtëpive më të mëdha botuese të kohës që më kanë bërë të njohur, por të shkruash nuk është një zanat shumë fitimprurës. Kështu, për ata që e kanë pasion dhe jo profesion të parë, duhet të jetë e vështirë të gjesh kohë fizike”.

Çuli shtoi edhe një vëzhgim: “Në panair, femrat që blinin një libër ishin shumë më të shumta se sa meshkujt. Kam parë edhe në shkolla që vajzat janë përgjithësisht shumë më të talentuara, por për shkak të privilegjimit që i bëjmë një mashkull në çdo drejtim, nuk arrijnë të çajnë përpara. Ndërkohë, shokët e tyre të klasës, shumë më të patalentuar, shpesh herë arrijnë të bëhen shkrimtarë. Për momentin, shoqëria shqiptare ende vazhdon të mendojë se shkrimtarët meshkuj janë një garanci për sukses, por kjo nuk është e vërtetë. Që prej vitit 1950 ka patur një shpërthim të shkrimtareve femra dhe vetëm në dekadën e fundit ato kanë fituar 4-5 çmime nobel”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA