Turqi, tërmeti, 100 persona nën rrënoja

10/11/2011 15:50

Skuadrat e shpëtimit janë duke kërkuar për dhjetëra të mbetur nën rrënoja pasi një tërmet i ri goditi një krahinë lindore në Turqi gjatë të enjtes.

Tronditjet e tokës, me magnitudë 5,6 të shkallës Rihter, shkaktuan shembjen e disa qindra strukturave, disa të dëmtuara nga tërmeti i madh i muajit tetor. Midis tyre, 25 ndërtesa të mëdha u transformuan në rrënoja, përfshi një hotel gjashtëkatësh në Van, ku ishin sistemuar gazetarë dhe punonjës të forcave të shpëtimit.

Nëntë janë personat e konfirmuar të vdekur deri në drekë. Sipas punonjësve të emergjencës, 23 persona janë nxjerrë të gjallë nga ndërtesat e shembura, por 100 të tjerë janë shpallur të humbur, prandaj bilanci tragjik mund të jetë shumë më i lartë.

Në tetor, një tërmet me magnitudë 7,2 të shkallës Rihter goditi në të njëjtën zonë, duke vrarë më shumë se 600 persona. Lëkundjet që prej atëherë kanë qenë të zakonshme në rajon, por ato të mëngjesit të së enjtes ishin më të fortat ndonjëherë.

Turqia është një vend që shtrihet në bashkimin e tre pllakave arkitektonike dhe si rrjedhojë goditet vazhdimisht nga tërmetet. Në vitin 1999, lëkundjet e tokës goditën qytetin e madh të Izmirit, duke shkaktuar mbi 20 mijë viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA