Meksikë, HRW: Abuzim me të drejtat e njeriut

10/11/2011 11:35

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch ka deklaruar se forcat meksikane të sigurisë po kryejnë abuzime në masë në luftën kundër bandave të drogës dhe nuk po ndëshkohen.

HRW ka deklaruar se kërkimet e saj tregojnë se ushtria dhe policia kanë marrë pjesë në 24 vrasje dhe 39 raste zhdukjeje personi.

Organizata i ka bërë thirrje qeverisë meksikane që të hetojë dyshimet për abuzim të ngritura ndaj ushtarëve.

Duke u përgjigjur ndaj akuzave, presidenti Felipe Calderon ka thënë se qeveria e tij po punon shumë për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Por nga ana tjetër ai ka theksuar se kërcënimi kryesor për të drejtat e njeriut në Meksikë vjen nga kriminelet, “dhe shteti e ka për detyrë të përballet me ta”.

Rreth 40 mijë persona janë vrarë nga dhuna e lidhur me kartelet e drogës që prej vitit 2006, shumica e të cilëve, sipas autoriteteve, janë kriminelë.

Por Human Rights Watch insiston se zbulimet e saj pas dy vjet kërkimesh në shtetet më të dhunshme të Meksikës sugjerojnë përfshirjen e forcave të sigurisë tek shkelja e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, përvec vrasjeve dhe zhdukjeve, organizata me bazë në Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se ka dokumentuar mbi 170 raste torturash.

“Në vend që të reduktohet dhuna, lufta kundër drogës në Meksikë ka sjellë një rritje dramatike të torturave dhe abuzimeve nga forcat e sigurisë”, ka deklaruar Jose Miguel Vivanco, drejtor i HRW.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA