Lamtumirë rinoceront? Specia pranë zhdukjes

10/11/2011 16:10

Asnjë rinoceront i zi nuk mbetet më në Afrikën Perëndimore, mësohet në një raport të publikuar të enjten mbi speciet e kërcënuara nga Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN).

Në dokument informohet se ky lloj rinoceronti tashmë rrezikon seriozisht të zhduket përfundimisht nga faqja e planetit, por çështë më e keqja, “lista e zezë” e këtij viti është pasuruar me gjallesa të reja.

Rinocerontit i zi, së bashku me “vëllain”, rinocerontin e bardhë, mbetet në rrezik serioz zhdukje edhe në rajonet e tjera të Afrikës.

Një tjetër nënspecie e kësaj kafshe, rinoceronti i Javës, i emërtuar nga ishulli ku gjendej, është gjithashtu i zhdukur përfundimisht. Prej kohësh, gjitari i madh është përndjekur dhe vrarë nga njerëzit, për t’i marrë bririn që ka një vlerë të madhe në tregun e zi.

”Për fatin e keq të rinocerontëve, atyre u ka qëlluar të jetojnë në mjedise ku autoritetet nuk mund të garantojnë siguri për ta. Vendasit kanë nxjerrë përfitime të mëdha nga shfarrosja e tyre për të siguruar bririn e çmuar”, deklaroi Simon Stuart, presidenti i IUCN-së.

Në raportin e përvitshëm, për herë të parë ngrihet një “shqetësim serioz” edhe për disa lloje të rralla zvarranikësh dhe kameleonësh. E vetmja histori suksesi e regjistruar gjatë vitit ishte ajo e nxjerrjes nga lista e kafshëve pothuajse të zhdukura të kuajve “Przeëalski” ose të njohur në klasifikimin e gjitarëve si “equis ferus”.

I zhdukur në vitin 1996 në natyrë, ky lloj kali është mbarështuar në disa qëndra nëpër botë dhe tani arrin në më shumë se 300 ekzemplarë. Megjithatë, ai vazhdon të mbetet në listën e zezë të gjallesave seriozisht të kërcënuara nga zhdukja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA