Nëntëmbëdhjetë minatorë janë vrarë dhe shumë të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën tokë pas një incidenti të ndodhur në një minierë në jug të Kinës.
Incidenti ndodhi mëngjesin e së enjtes në minierën Sizhuang, në provincën Junan, bëjnë të ditur agjencitë kineze të lajmeve.
Ngjarja vjen gjithashtu disa ditë pas një tragjedie të ngjashme të ndodhur në një minierë në provincën Henan, ku një masiv guri u shemb duke bllokuar punëtorët. Shumë minatorë u shpëtuan, por dhjetë të tjerë humbën jetën.
Agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua” citon autoritetet lokale që deklarojnë se të paktën 24 persona kanë mbetur të bllokuar nën tokë.
Sipas burimit mediatik, shkak për incidentin është bërë një rrjedhje gazi, që mund të ketë pasuar me një shpërthim.
Industria e minierave në Kinë ka statistika tragjike përsa i përket sigurisë, por autoritetet thonë se në vitet e fundit numri i vdekjeve dhe plagosjeve ka rënë ndjeshëm.
Top Channel