Kishin 15 vjet që provonin me të gjitha mënyrat që të bënin një fëmijë.
Më në fund, në fillim të këtij viti, 46-vjeçari Ardian dhe 36-vjeçarja Liri morën lajmin e shumëpritur se do të bëheshin prindër të binjakëve, falë metodës “in vitro”.
“Jemi munduar shumë. Nuk kemi lënë klinika pa shkuar. Përfundimisht zgjidhjen e gjetëm tek spitali amerikan që bëri të mundur fertilizimin “in vitro”. Në këtë spital gjetëm ambient familjar dhe jo thjesht një marrëdhënie doktor-pacient”, shprehet Ardiani.
Djalin e quajtën Muhamed, si një bekim dhe dedikim ndaj Zotit, pasi erdhi në jetë në ditën e Bajramit. Vajza Blerta është 5 minuta më e madhe se i vëllai dhe ka një ngjashmëri të dukshme me nënën e saj.
“E kisha të vështirë të bëja këtë ndërhyrje, kisha frikë. Gjithsesi me ndihmën e Zotit dhe doktorit ia dola mbanë”, thekson Liria.
Gjatë këtyre viteve, çiftit ua kishin prerë shpresat disa herë, por instikti i brendshëm u thoshte se për ta do të vinte një ditë mundësia.
Nuk hoqën dorë së kërkuari dhe falë besimit tek mjekët, Ardiani dhe Liria sot janë prindër të lumtur të dy fëmijëve aq të ëndërruar.
Top Channel